Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka akuzuar homologun rus Vladimir Putin se po përpiqet t’i zvarrisë bisedimet për armëpushim në mënyrë që të vazhdojë luftën.
Në një postim në “X”, Zelensky ka kritikuar Rusinë se po vendos qëllimisht kushte që vetëm e komplikojnë dhe e zvarrisin procesin për arritjen e armëpushimit.
Më tej, presidenti ukrainas ka thënë se ka “mirëkuptim të fortë” midis Ukrainës dhe partnerëve të saj evropianë.
Duke iu referuar bisedimeve në fillim të kësaj jave mes SHBA-së dhe Ukrainës në Arabinë Saudite, Zelensky shkruan se kur dëgjoi për herë të parë propozimin amerikan për armëpushim të menjëhershëm, ra dakord “menjëherë”.
Ai më tej akuzon Putinin se gënjen për atë që po ndodh në fushën e betejës, numrin e viktimave dhe gjendjen e ekonomisë ruse.
“Putini nuk mund të largohet nga kjo luftë, sepse kjo nuk do ta linte atë pa asgjë”, ka thënë Zelensky.