Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pret “vendime të rëndësishme” nga samiti G7 i liderëve të shtatë kombeve më të pasura në botë.
“Një pjesë e madhe do t’i kushtohet Ukrainës, mbrojtjes tonë dhe ringjalljes ekonomike”, ka shkruar Zelensky në një postim në Telegram, raporton BBC.
Shtëpia e Bardhë thotë se G7-a ka bërë përparim të dukshëm lidhur me një plan të SHBA-së për të shfrytëzuar asetet e ngrira ruse, për të krijuar të hyra në vlerë prej 50 miliardë dollarësh në vit për Ukrainën.
Zelensky i cili do ta ndjekë samitin edhe nga afër, pritet po ashtu të nënshkruajë marrëveshje të reja sigurie me Japoninë dhe SHBA-në.
Kombet e G7-ës, Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja kanë qenë financues të rëndësishëm dhe mbështetës ushtarak për Ukrainën, që kur ka nisur pushtimi rus në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.
Asetet ruse që janë ngrirë nga grupi, bashkë me ato të ngrira nga BE-ja, kur Moska nisi luftën në Ukrainë, kapin vlerën e 325 miliardë dollarëve.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, shtetet nuk mund t’i konfiskojnë këto asete nga Rusia dhe t’ia japin ato Ukrainës. Mirëpo, ato po gjenerojnë shumë interes, rreth 3 miliardë në vit, kështu që ideja është që të përdoret ky interes në një mënyrë kreative.
LEXO EDHE: