Botë

Zelensky: Evropa s’mund ta garantojë sigurinë e Ukrainës pa Amerikën

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Nëse presidenti amerikan Donald Trump do ta tërhiqte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ukrainën, Evropa e vetmuar nuk do të kishte forcë që të mbushte hendekun, ka paralajmëruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për “The Guardian” të martën.

“Ka zëra që thonë se Evropa mund të ofrojë garancione të sigurisë pa amerikanët, dhe unë them gjithmonë jo”, ka deklaruar Zelensky.  “Garancionet e sigurisë pa Amerikën nuk janë garancione të sigurisë”. 

Trumpi ka thënë se do që lufta në Ukrainë të përfundojë, por skeptikët frikësohen se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja mund të detyrojë Ukrainën që të pranojë kërkesat e presidentit rus Vladimir Putin për të marrë territore nga Ukraina. Zelensky ka thënë se është i gatshëm për të negociuar, por do të dëshironte që Ukraina të kishte pozicion më të fortë. 

“Ata që po ndihmojnë për të shpëtuar Ukrainën do të kenë mundësinë për ta rindërtuar, me bizneset e tyre së bashku me bizneset ukrainase. Për të gjitha këto, jemi gati që të flasim deri në detaje”, ka deklaruar Zelensky.

Zelensky do të udhëtoj në Munich për të qenë pjesë e Konferencës së Sigurisë më vonë gjatë javës, ku ai pret të takohet me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, njërin prej personave më armiqësor kundrejt Ukrainës brenda rrethit të Trumpit. Në konferencën e vitit të kaluar, Vance, asokohe senator, kishte refuzuar të takonte Zelenskyn, dhe ka thënë më herët se “mua nuk më intereson se çka ndodh me Ukrainën, në një mënyrë ose një tjetër”. 

Trumpi ka thënë se gjatë javës ka gjasa se ai do të takohet me Zelenskyn, dhe është e mundur po ashtu që ky i fundit të udhëtojë nga Munichu në Washington pas përfundimit të Konferencës së Sigurisë.

Gjatë fazës së parë të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, aftësitë komunikuese të Zelenskyt dhe lutjet pasionante u vlerësuan nga liderët perëndimorë që kishin hezituar në fillim të mbështesnin Ukrainën me armë dhe ndihmë financiare. Tani, me Trumpin, Zelensky përballet me një sfidë të re - një skeptik i madh i mbështetjes për Kievin është lider i aleatit më të madh të Ukrainës.

Në intervistën për mediumin amerikan Fox News të hënën, Trumpi kishte deklaruar se SHBA-ja ka shpenzuar qindra miliarda dollarë për t’i dalë në ndihmë Ukrainës gjatë viteve të fundit. 

“Ata (ukrainasit) mund të bëjnë marrëveshje. Mund të mos bëjnë marrëveshje. Mund të jenë rusë një ditë, mund të mos jenë rusë, por ne kemi shpenzuar shumë para atje dhe duam që të na kthehen mbrapsht”.

Me fjalë të tjera, Trumpi kërkon që të shtojë një ide të re, duke kërkuar që të ketë qasje në “mineralet e rralla” të Ukrainës. Trumpi ka njoftuar të martën se do të dërgonte sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, në Ukrainë për të diskutuar në raport me mineralet e rralla tokësore ukrainase. 
Zelensky ka thënë se idenë e Trumpit e ka përsëritur jo më larg se në shtatorin e vitit të kaluar, kur ata të dy u takuan në New York, dhe se ai ka synim që të kthehet me një plan më të detajuar për mundësitë e kompanive amerikane, jo vetëm për të rindërtuar Ukrainën por edhe për të ekstraktuar burimet natyrore. 

Ukraina ka rezervat më të mëdha të uraniumit dhe titaniumit në Evropë, u shpreh Zelensky, dhe se nuk është në interesin amerikan që këto burime të shkojnë në duart e Rusisë dhe potencialisht të ndahen me Korenë e Veriut, Kinën apo Iranin.  

Por aty kishte edhe një faktor ekonomik po ashtu.

“Ne nuk po flasim vetëm për sigurinë, por edhe për paratë... Burimet e vlefshme natyrore që ne i ofrojmë partnerëve tanë mund të krijojnë mundësi që nuk kanë ekzistuar më përpara...Për neve do të krijojnë vende të punës, për kompanitë amerikane do të sjellin profit”, tha Zelensky.

Ai tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë e Ukrainës që ndihma ushtarake amerikane të vazhdojë, duke marrë si shembull edhe sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot” të prodhuar në Amerikë. 

“Vetëm Patrioti mund të na mbrojë nga çdo lloj raketash, vetëm Patriotët. Ka edhe sisteme të tjera evropiane... por ato nuk na ofrojnë mbrojtje të plotë... Prandaj, edhe nga ky shembull i vogël mund të shihni se pa Amerikën, garancitë e sigurisë nuk mund të jenë të plota," tha ai.

Javët e para të presidencës së Trumpit kanë prodhuar shqetësime të shumta për Ukrainën. Kishte një ngrirje globale të projekteve të USAID-it, që në Ukrainë dëmtoi qindra organizata që punonin për gjithçka, nga veteranët e ushtrisë tek shkollat dhe strehimoret nga bombardimet. Pastaj, kishte pranimin e Trumpit në një intervistë për “New York Post” gjatë fundjavës, ku ai tha se kishte folur tashmë me Putinin përmes telefonit në një përpjekje për t’i nisur negociatat. Kur u pyet se sa herë, ai tha vetëm: "Më mirë të mos e them."

Zelensky tha që është “shumë e rëndësishme” që presidenti i Amerikës të takohet me delegacionin ukrainas para se të takohet me Putinin, por nuk artikuloi ndonjë kritikë për deklaratat e Trumpit. 

“Është e qartë se ai nuk dëshiron që të kuptohen detajet nga të gjithë, dhe ky është vendimi i tij personal,” tha ai.

Zelensky është mësuar të lëvizë me kujdes ndaj Trumpit.

Sa i përket ngrirjes së USAID-it, Zelensky tha: “Ne nuk do të ankohemi që disa programe janë ngrirë, sepse gjëja më e rëndësishme për neve është ndihma ushtarake dhe kjo është ruajtur, gjë për të cilën jam mirënjohës... Nëse pala amerikane ka mundësinë dhe dëshirën për të vazhduar misionin humanitar, ne jemi plotësisht për këtë, dhe nëse jo, atëherë ne do të gjejmë alternativa të tjera për të dalë nga kjo situatë.”

Deklaratat publike të Trumpit rreth Ukrainës deri më tani kanë qenë kontradiktore, por një tematikë që ka mbizotëruar është se gjatë kohës që arrihet marrëveshja për të përfunduar luftën, Evropa ka për të qenë përgjegjëse për ta ruajtur paqen. Si përgjigje ndaj kësaj, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka theksuar idenë për themelimin e një force paqeruajtëse evropiane që mund të vendoset në Ukrainë pas një marrëveshjeje potenciale të armëpushimit. 

“Kur bie fjala për idenë e Emmanuelit, nëse është pjesë [e një garancioni të sigurisë] atëherë po, në qoftë se do të jenë 100,000-150,000 trupa evropiane, atëherë po. Por edhe në atë pikë ne nuk do të kishim nivelin e njëjtë të trupave ushtarake sa i ka Ushtria ruse”, ka thënë Zelensky. 

Evropa është ende shumë larg nga marrëveshja për të dërguar trupa të gatshme për luftë në Ukrainë, një lëvizje që Putin do të ishte e vështirë ta pranonte në negociata, dhe Zelensky tha se një mision më i vogël paqeruajtës do të ishte i paefektshëm, përveçse nëse vjen me garanci se do të përballet me Rusinë, nëse Moska rinis armiqësitë.

“Unë do të jem i sinqertë me juve. Unë nuk mendoj se trupat e Kombeve të Bashkuara (KB) ose diçka e ngjashme kanë për të ndihmuar vërtetë. Sot ne nuk mund të mbështesim një ide të tillë. Ne jemi për një kontingjent të trupave paqeruajtëse nëse është pjesë e garancisë së sigurisë, dhe unë do të nënvizoja përsëri se pa Amerikën kjo është e pamundur”, shtoi Zelensky. 

Nëse Trumpi nuk arrin që të ulë Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e bisedimeve, Zelensky tha se ai planifikon që t’i ofrojë Rusisë një shkëmbim territorial, duke dorëzuar territore që Kievi ka kontrolluar në rajonin rus të Kurskut që nga nisja e një ofensive befasuese atje gjashtë muaj më parë.

“Ne do të shkëmbejmë një territor për një tjetër,” tha ai, por shtoi gjithashtu se nuk e dinte se cilën pjesë të territorit ukrainas që kontrollohet nga Rusia të kërkonte në këmbim. “Unë nuk e di, mbetet të shihet. Por të gjitha territoret tona janë të rëndësishme, nuk ka ndonjë prioritet”.

Ndërsa Zelensky i drejtohet bisedave me Trumpin, ai tha se ishte ende shumë herët për të dhënë një gjykim mbi administratën e mëparshme. Marrëdhëniet mes Kievit dhe Washingtonit thuhet se po bëheshin gjithnjë e më të ftohta, pasi ekipi i Zelenskyt po ndihej i frustruar me fokusin e Joe Biden mbi menaxhimin e rreziqeve të eskalimit.

I pyetur se nëse mendon se Bideni do të futet në histori si lideri që ndihmoi në shpëtimin e Ukrainës ose si lideri që ishte shumë i ngadalshëm në kundërpërgjigjen e tij ndaj Putinit, Zelensky qeshi dhe tha se është “shumë e vështirë” për të konstatuar në këtë fazë.

Ai e kritikoi mungesën fillestare të vullnetit nga ana e Bidenit për t’i dërguar armë Ukrainës. 

“Kjo mungesë e vetëbesimit i dha vetëbesim Rusisë”, tha Zelensky, por gjithashtu shtoi se ishte mirënjohës për ndihmën që erdhi pastaj.

Vlerësimet e plota, tha ai, do të dalin në pah me kohën: "Historia tregon se ka shumë gjëra që thjesht nuk i di, çfarë ndodhi pas perdeve, cilat ishin negociatat... është e vështirë ta karakterizosh gjithçka sot sepse ne nuk e dimë çdo gjë. Më vonë do ta dimë, do të dimë gjithçka."