Botë

Zelensky në samitin e BE-së: Mirënjohës që nuk jemi vetëm

Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensly

Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensly, të enjten ka mbërritur në samitin urgjent të Bashkimit Evropian në Bruksel ku do të diskutohet përkrahja e Ukrainës dhe forcimi i mbrojtjes së shteteve evropiane.

Në një fjalim të shkurtër para gazetarëve, Zelensky falënderoi liderët evropianë për “mbështetjen e fortë” të cilën ai thotë se e ka parë “që nga fillimi i luftës dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, përfshirë javën e kaluar”.

“Jemi shumë mirënjohës që nuk jemi vetëm. Dhe këto nuk janë vetëm fjalë. Ne e ndjejmë atë. Është shumë e rëndësishme që ju [dërgoni] sinjal të fortë për popullin ukrainas, për luftëtarët ukrainas, për civilët, për të gjitha familjet tona. Dhe është mirë që nuk jemi vetëm”, ka thënë presidenti ukrainas.

Liderët evropianë u mblodhën në Bruksel pas përplasjes që Zelensky pati me presidentin amerikan Donald Trump. SHBA-ja pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën. Që atëherë, Zelensky ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë.

Në fjalimin në Kongres të martën, Trumpi e mirëpriti reflektimin e Zelenskyt.

Zelensky: Paqja s’duhet të jetë kostoja për të hequr dorë nga Ukraina

1 muaj më parë / 6 mar 2025 19:02
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi i tij dëshiron paqe, por jo që kostoja të jetë “heqja dorë nga Ukraina”.

Ai u takua të enjten me liderët evropianë në Bruksel, ku u shpreh se që prej fillimit të luftës e ka dëshiruar paqen.

Zelensky u ka kërkuar kombeve evropiane që të vazhdojnë të përfshijnë Ukrainën në negociata të paqes, derisa ai mirëpret “Planin e riarmatimit të Evropës”. Lideri ukrainas mirëpret gjithashtu përpjekjet e vendeve evropiane për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje.

Ai i ka përsëritur thirrjet që negociatat e paqes të jenë me një garanci për armëpushim.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy, ka paraqitur në rrjetin social X, hapat e nevojshëm për të arritur paqen e qëndrueshme në mes të Ukrainës dhe Rusisë, raporton BBC.

1. Hapi i parë është armëpushimi në ajër dhe në det

2. Hapi i radhës është lirimi i të gjithë të burgosurve të luftës si mënyrë për të ndërtuar besim

Zelensky ka nënvizuar se duhet të ketë “besim” në negociatat e ardhshme, dhe ka bërë me dije se lirimi i të burgosurve mund të kontribuojë në atë drejtim.

“Kjo duhet të bazohet në kuptimin se çdo armëpushim ose masë për ndërtimin e besimit mund të shërbejë vetëm si një prolog për një zgjidhje të plotë dhe të drejtë, për një marrëveshje të gjithanshme mbi garancitë e sigurisë dhe mbarimin e luftës”, ka thënë Zelensky.

Presidenti ukrainas ka thënë se është mirënjohës për mbështetjen që ka marrë deri tani, duke shtuar se populli i tij e vlerëson që “Evropa po provon të bëjë gjënë e duhur”.