Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky përmes një postimi në rrjetin social X, ka deklaruar se mirëpret propozimin amerikan për armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë.
Ai ka shkruar se Ukraina që nga sekondat e para të konfliktit ka kërkuar paqe, dhe se do të bëjë çdo gjë për të arritur atë sa më parë që të jetë e mundur dhe në një mënyrë të qëndrueshme që sipas tij lufta të mos kthehet.
Zelensky po ashtu ka shkruar edhe tri propozimet kyçe të Ukrainës.
“Në takimin me amerikanët, Ukraina ka propozuar tri pika kyçe: qetësi në qiell – ndalimin e sulmeve me raketa, bomba, dhe sulmeve me drona me rreze të gjatë; qetësi në det; masa reale të kthimit të besimit në këtë situatë, për të cilin po vazhdojnë përpjekjet, që fillimisht do të thotë lirimi i të burgosurve të luftës dhe të arrestuarit – ushtarakë dhe civilë – dhe kthimin e fëmijëve ukrainas që janë dërguar me dhunë në Rusi”, ka shkruar ai në postimin e tij.
Sipas Zelenskyt, SHBA-ja propozoi edhe një hap më ambicioz me propozimin e armëpushimit 30-ditor, duke ndaluar luftën në të gjithë frontin.
“Ukraina është e gatshme të pranojë këtë propozim – e shohim si hap pozitiv dhe jemi të gatshëm ta marrim. Tani, varet nga SHBA-ja të bindë Rusinë të bëjë të njëjtën gjë. Nëse Rusia pajtohet, armëpushimi do të fillojë menjëherë”, ka shtuar ai.
