Botë

Zelensky me thirrje për Bidenin e Xi-n

Volodymyr Zelensky - presidenti i Ukraines

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping të dielën që t’i bashkohen një samiti të ardhshëm të paqes, ndërsa vendi i tij përpiqet t’i shmangë sulmet e pandërprera ruse, raporton agjencia “AP”.

Forcat ruse javët e fundit kanë avancuar në fushëbetejë dhe kanë shtuar sulmet ajrore në qytete, dhe Kievi shpreson se takimi i qershorit në Zvicër do të ndihmojë në rritjen e presionit ndërkombëtar mbi presidentin rus, Vladimir Putin.

Në videon në gjuhën angleze të regjistruar brenda mbetjeve të djegura të një shtypshkronjeje të shkatërruar të enjten në një sulm ajror rus, Zelensky  ka thënë se samiti do të “tregonte se kush në botë dëshiron vërtetë t’i japë fund luftës”.

“Unë po u bëj thirrje liderëve të botës që qëndrojnë ende mënjanë përpjekjeve globale të Samitit Global të Paqes – presidentit Biden, liderit të Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Xi, udhëheqësit të Kinës”,  tha ai. “Ju lutemi, tregoni lidershipin tuaj në avancimin e paqes – paqen e vërtetë dhe jo vetëm një pauzë mes sulmeve”. 

Komentet e presidentit ukrainas erdhën dy ditë pasi burimet ruse i thanë Reutersit se Putin ishte gati ta ndalonte luftën në Ukrainë me një armëpushim të negociuar që njeh linjat aktuale të fushëbetejës.
Zelensky dhe mbështetësit e Ukrainës thonë se një armëpushim vetëm do ta ndihmojë Rusinë të riarmatoset dhe të rigrupohet.