Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka kritikuar thirrjen telefonike që kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka pasur të premten me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Në një adresim në mbrëmje, Zelensky ka thënë se thirrja e Scholzit me Putinin ka hapur “Kutinë e Pandorës” duke minuar përpjekjet për ta izoluar liderin rus.
“Tani mund të ketë më shumë biseda, më shumë thirrje. Vetëm më shumë fjalë. Dhe kjo është pikërisht ajo që Putini ka dashur për shumë kohë: është tejet e rëndësishme për të që ta zbehë izolimin e tij”, ka thënë Zelensky.
Më herët gjatë ditës, kancelaria gjermane konfirmoi bisedën telefonike mes dy liderëve. Gjermania njoftoi se Scholzi i ka kërkuar Putinit të tërhiqet nga Ukraina.
“Kancelari i ka kërkuar Rusisë të tregojnë vullnet për të hyrë në bisedime me Ukrainën, me qëllim që të arrihet paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësi në një deklaratë. “Ai ka theksuar vendosmërinë e pathyeshme të Gjermanisë për të përkrahur Ukrainën në mbrojtjen e vet kundër agresionit rus për aq sa të jetë e nevojshme”.
Edhe Kremlini ka konfirmuar bisedën, për të cilën ka thënë se ka ndodhur me kërkesë të Berlinit. Sipas Kremlinit, Putini i ka thënë Scholzit se çfarëdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet t’i marrë parasysh interesat ruse të sigurisë dhe të pasqyrojë “realitetet e reja territoriale”.
Scholzi dhe Putini herën e fundit patën folur në dhjetor të 2022-s, 10 muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë me Ukrainën duke prishur raportet me Perëndimin e duke i kthyer në fazën më të rëndë që nga Lufta e Ftohtë.