Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka kritikuar atë që e ka quajtur përgjigje “zero” ndaj zhvendosjes së trupave verikoreane në Rusi për luftën në Ukrainë, duke thënë se reagimi i dobët do ta inkurajojë presidentin Vladimir Putin ta përforcojë numrin e trupave ushtarake, raporton Reuters.
Në një intervistë me kanalin jugkorean televiziv KBS, Zlensky ka thënë se beson se Moska veçse po përpiqet të bjerë dakord me Korenë e Veriut për të dërguar inxhinierë dhe “një numër të madh të civilëve” për të punuar në bazat ushtarake ruse.
“Putini po e shikon reagimin e Perëndimit... Dhe besoj se pas këtyre reagimeve, ai do të vendosë dhe do ta rrisë numrin e trupave... Reagimi i tanishëm është asgjë, është zero”, ka thënë Zelenksy.
Ai ka filluar ta paralajmërojë publikisht përfshirjen e Koresë së Veriut në luftë më 13 tetor. Aleatët perëndimorë që atëherë e kanë përshkruar masën si përshkallëzim të madh, por nuk kanë njoftuar masa hakmarrëse ose nuk kanë thënë se po përgatiten të zbatojnë ndonjë.
Koreja e Jugut ka ofruar ndihmë të inteligjencës dhe mbështetje më të gjerë në këtë çështje, si dhe po konsideron ta dërgojë një ekip të monitoruesve ushtarakë në Ukrainë, sipas zyrtarëve jugkoreanë.
Rusia nuk e ka mohuar përfshirjen e trupave verikoreane në luftë. Koreja e Veriut në fillim e ka mohuar përfshirjen, por që atëherë e ka mbrojtur idenë e vendosjes së trupave, si përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Zëvendësambasadori i SHBA-së në OKB, Robert Wood i tha Këshillit të Sigurimit të enjten se Washingtoni mori informacione që tregonin se tani ka 8000 trupa veriokoreanë në rajonin jugor të Kurskut të Rusisë.
Në intervistë, Zelensky ka thënë se ishte i befasuar nga “heshtja” e Kinës, ekonomia e dytë në botë, rreth zhvendosjes së trupave.
Zelensky ka thënë se Ukraina kishte “informacion të qartë” se Rusia e ka konfirmuar vendosjen e verikoreanëve në Perëndim, përmes kanaleve të inteligjencës.
“Federata Ruse e diskutoi këtë çështje me Perëndimin dhe konfirmoi se po, ka personel ushtarak nga Koreja e Veriut që do të luftojë kundër Ukrainës”, ka thënë ai.
Toni i drejtpërdrejtë i retorikës së Zelenskyt vuri në dukje rritjen e zhgënjimit ukrainas mbi shtrirjen e mbështetjes perëndimore për Kievin, në këtë kohë kritike të luftës me Rusinë, me zgjedhjet presidenciale të SHBA-së që po afrohen.