Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Pekinin se po mbyll sytë ndaj rekrutimit të shtetasve kienzë në radhët e ushtrisë ruse ne luftën në Ukrainë.
Zelensky ka deklaruar ditë më parë se janë kapur dy shtetas kinezë duke luftuar në radhët e Rusisë dhe se ka informacione për më shumë të tillë, raporton The Guardian.
Presidenti ukrainas u ka thënë gazetarëve në një konferencë për media se ai nuk ishte në dijeni se Kina "u ka dhënë një lloj komande" atyre që tani luftojnë për Rusinë.
Megjithatë, ai ka thënë se Pekini duhet të ketë qenë në dijeni se disa njerëz po i bashkoheshin ushtrisë së një vendi tjetër në këmbim të pagesës.
“Ne llogarisim se ata e dinin për këtë. Ne llogarisim se këta janë shtetas kinezë, ata po luftojnë kundër nesh, duke përdorur armë kundër ukrainasve në territorin e Ukrainës. Motivimi i tyre, para apo jo, politikë, etj, nuk dihet ende për mua. Por do të dihet”, është shprehur ai.
Zelensky ka shtuar se ai besonte se SHBA-ja ishte "shumë e befasuar dhe beson se kjo është e papranueshme" në një kohë kur Uashingtoni dhe Pekini janë përfshirë në një luftë tregtare tarifore.
Përpiluar nga inteligjenca ukrainase, një nga dokumentet e shfaqura nga Zelensky paraqiste 13 ushtarë kinezë të moshës nga 19 deri në 45 vjeç, me të dhënat e pasaportës së tyre, ndërsa dokumenti i dytë listonte emrat, datat e lindjes, njësinë e tyre ruse dhe në disa raste informacione se ku ishin rekrutuar.
"Çështja 'kineze' është serioze. Janë 155 persona me emra dhe detaje pasaporte, 155 shtetas kinezë që po luftojnë kundër ukrainasve në territorin e Ukrainës”, ka deklaruar Zelensky duke thënë se besojnë që ka shumë më tepër.
Zyrtarët kinezë kanë lënë të kuptohet të mërkurën se qytetarët e tyre po bashkoheshin me iniciativën e tyre, megjithëse ata kanë shtuar se ideja se një numër i konsiderueshëm ishin përfshirë në luftë ishte "krejtësisht e pabazuar".
"Qeveria kineze u kërkon gjithmonë qytetarëve kinezë që të qëndrojnë larg zonave të konfliktit, të shmangin përfshirjen në çdo formë konflikti të armatosur dhe veçanërisht të përmbahen nga pjesëmarrja në operacionet ushtarake të ndonjë pale", ka thënë të mërkurën Lin Jian, zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze.