Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka hedhur të hënën idenë që trupat e huaja të vendosen në Ukrainë derisa vendi të bashkohet me aleancën ushtarake të NATO-s.
Ai e bëri komentin gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kiev me liderin e opozitës gjermane Friedrich Merz, teksa kthimi i afërt i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë intensifikon bisedimet për një marrëveshje të mundshme për t'i dhënë fund luftës 33-mujore të Rusisë, raporton The Guardian.
Ukraina, e cila po bën presion për të marrë një ftesë për t'u bashkuar me NATO-n, ka këmbëngulur gjatë gjithë luftës se ajo ka nevojë për garanci sigurie për të parandaluar Rusinë të nisë një pushtim tjetër pas ndalimit të armiqësive aktuale.
“Një kontigjent trupash nga një vend apo një tjetër mund të jetë i pranishëm në Ukrainë për sa kohë që vendi nuk është pjesë e NATO-s. Por për këtë ne duhet ta kemi të qartë se kur Ukraina bëhet anëtare e BE-së dhe kur bëhet anëtare e NATO-s”, ka thënë Zelensky.
Presidenti francez, Emmanuel Macron shkaktoi polemika në Evropë në shkurt kur ngriti mundësinë e dërgimit të trupave nga vendet evropiane në Ukrainë, megjithëse ai paralajmëroi se nuk kishte konsensus për këtë çështje.
“Edhe nëse na ftojnë [në NATO], çfarë ndodh atëherë? Kush na garanton sigurinë? Ne mund të mendojmë për këtë dhe të punojmë për propozimin e Emmanuel Macronit”, ka thënë Zelensky.
Udhëheqësi ukrainas u ka thënë gazetarëve se shpreson ta telefonojë presidentin në largim të SHBA-së Joe Biden në ditët në vijim për të diskutuar anëtarësimin në NATO.