Botë

Zelensky kërkon paqe me Rusinë: Vetëm SHBA-ja mund ta arrijë këtë

Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjet për një paqe të qëndrueshme me Rusinë, duke kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Evropës, që kjo të arrihet me garanci.

Ai ka deklaruar se SHBA-ja e ka kapacitetin për të arritur gjëra të jashtëzakonshme, “gjëra që të tjerët nuk kanë mundur t’i arrijnë”.

“Për të pasur sukses në përfundimin e kësaj lufte, ne kemi nevojë për unitet – unitetin e Amerikës, Evropës dhe të gjithëve në botë që vlerësojnë sigurinë – si dhe pozita të forta dhe garanci për paqen. I thashë presidentit Trump se Putini i frikësohet vetëm atij dhe, ndoshta, Kinës”, ka shkruar të martën në rrjetin social X, derisa komentoi takimin në Paris me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe atë francez, Emmanuel Macron.

Zelensky u shpreh se vetëm vendosmëria “mund ta çojë këtë luftë në një fund të drejt dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme”. Presidenti ukrainas kërkoi veprime të menjëhershme për të rivendosur rendin e duhur ndërkombëtar.

Lexo edhe:

“Gjëja më e rëndësishme është të punojmë së bashku se si t'i japim fund kësaj lufte – ky është prioriteti ynë kryesor. Gjatë takimit në Paris, ishte pikërisht ky fokusi ynë dhe ishte një bisedë shumë produktive. Ritheksoj mirënjohjen time për presidentin Macron për organizimin e tij, si dhe mirënjohjen time të thellë për presidentin Trump për vendosmërinë e tij të fortë për ta çuar këtë luftë në një fund të drejtë”, është shprehur ai.

Presidenti Zelensky ka hedhur të hënën idenë që trupat e huaja të vendosen në Ukrainë derisa vendi të bashkohet me aleancën ushtarake të NATO-s.

Ai e bëri komentin gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kiev me liderin e opozitës gjermane Friedrich Merz.

“Një kontigjent trupash nga një vend apo një tjetër mund të jetë i pranishëm në Ukrainë për sa kohë që vendi nuk është pjesë e NATO-s. Por për këtë ne duhet ta kemi  të qartë se kur Ukraina bëhet anëtare e BE-së dhe kur bëhet anëtare e NATO-s”, ka thënë Zelensky.