Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu ka kërkuar vendeve perëndimore të bëjnë më tepër presion mbi Rusinë, pas sipas tij, kjo është forma e vetme që të arrihet armëpushimi.
Zelensky foli të dielën për sulmet e fundit ruse mbi civilët në Kiev dhe në Zaporizhzhia, duke shtuar se “Rusia është ajo që po e zvarrit luftën”.
“Duhet të ketë më tepër presion ndaj Rusisë për të ndalur këtë terror. Dhe kjo varet nga të gjithë partnerët tanë, SHBA-ja, Evropa dhe të tjerët në mbarë botën...Rusia është ajo që po e zvarrit këtë luftë, e vetmja që e solli luftën dhe e vetmja që ka nevojë ta vazhdojë”, ka thënë ai në X.
Presidenti ukrainas tha se për takimet me përfaqësues të SHBA-së është diskutuar arritja e armëpushimit, por theksoi se Moska “do të vazhdojë të tregojë përbuzje për diplomacinë e vërtetë dhe të vazhdojë të shkatërrojë jetë”.
Zelensky njoftoi se ushtarakët dhe diplomatët po zhvillojnë takim me ekipin e SHBA-së në Jeddah të Arabisë, derisa shtoi se po punohet “në mënyrë plotësisht konstruktive”.
“Puna e delegacioneve po vazhdon. Por pavarësisht se çfarë po diskutojmë me partnerët, Putini duhet të shtyhet të lëshojë një urdhër të vërtetë për t’i ndalur sulmet, sepse ai që e solli këtë luftë duhet të jetë aty për ta ndalur”, thënë ai.