Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se mbështetja nga aleatët perëndimorë është thelbësore për “planin e tij të fitores” për t'i dhënë fund luftës shkatërruese të vendit me Rusinë, teksa u paraqiti të enjten detaje të planit, udhëheqësve të Bashkimit Evropian.
Pikat kryesore të planit përfshijnë një ftesë për Ukrainën për t'u bashkuar me NATO-n dhe leje për të përdorur raketa me rreze më të gjatë të furnizuar nga Perëndimi për të goditur objektivat ushtarake thellë brenda Rusisë, hapa që janë pritur me ngurrim nga aleatët e Kievit deri më tani, raporton AP.
"Ftesa e menjëhershme e Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO do të ishte vendimtare. Sigurisht, anëtarësimi do të pasonte më vonë”, ka deklaruar Zelensky, duke theksuar se presidenti rus, Vladimir Putin "duhet të shohë se llogaritjet e tij gjeopolitike janë të pavlera".
Zelensky shtoi se është jetike që të ushtrohet presion ndaj Putinit duke bërë "kthimin e luftës në Rusi në mënyrë që rusët të mund të ndjejnë se si është lufta".
Bisedimet e së enjtes në Bruksel vijnë në kohën kur trupat ukrainase po përpiqen t’i shtyjnë prapa forcat ruse të pajisura më mirë, veçanërisht në rajonin lindor të Donetskut, ku ato gradualisht po zmbrapsen.
Kievi po mbijeton me ndihmën perëndimore, por Ukraina thotë se ajo po vjen shumë ngadalë.