Botë

Do ta fitojmë këtë luftë, zotohet Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

E përditësuar (11:26) - Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelesnky ka thënë se Rusia e ka sulmuar e para Ukrainën, duke e quajtur Moskën "agresore".

Duke folur nga Helsinki të mërkurën, Zelensky është zotuar për ta fituar këtë luftë. 

"Ne po luftojmë për sovranitetin dhe pavarësinë tone, ne do ta fitojmë këtë luftë," u ka thënë ai gazetarëve gjatë një konference për media bashkë me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb. 

Ai ka shtuar se do të zhvillojë bisedë telefonike me presidentin Trump të mërkurën për të punuar në "hapat e ardhshëm" drejt një "paqeje të drejtë".

“Ishin ukrainasit që pranuan armëpushimin pa kushte, ishte Putini që hodhi poshtë armëpushimin pa kushte”, është shprehur Zelensky.

Ai po ashtu ka ripërsëritur dëshirën e tij për integrim evropian dhe po ashtu për anëtarësim në NATO.

Zelensky ka thënë se NATO-ja do të ishte më e fortë me pranimin e Ukrainës në aleancë.


Zelensky: Fjalët e Putinit, ndryshe nga realiteti

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin, janë ndryshe nga realiteti.

Duke folur në një konferencë për media bashkë me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, të mërkurën në Helsinki, Zelensky ka thënë se Ukraina dhe Finlanda janë të bashkuara, duke e ditur se si është të jesh fqinj me Rusinë. 

“Fjalët e Putinit janë shumë të ndryshme nga realiteti”, shton Zelensky.

Zelensky ka përsëritur se presioni i përbashkët ndaj Rusisë kërkohet si parakusht i paqes, si dhe unitet për një mbrojtje të përbashkët në të gjithë Evropën.

Nërkaq, Stubb ka thënë se Ukraina ka një "të drejtë të pamohueshme për të mbrojtur veten" kundër agresionit rus.

Sipas tij, Rusia duhet ende të tregojë se dëshiron paqen. 

“Nëse Rusia refuzon të pajtohet, duhet t'i bëhet më shumë presion për të ardhur në tryezën e bisedimeve”, është shprehur Stubb.