Botë

Zelensky: Është thelbësore ta kemi mbështetjen e Trumpit

Donald Trump - Volodymyr Zelensky

Është “thelbësore” që Ukraina të ketë mbështetjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të shtunën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, një ditë pas qortimit që e mori nga presidenti amerikan në Zyrën Ovale.

“Është thelbësore për ne që të kemi mbështetjen e presidentit Trump. Ai dëshiron t'i japë fund luftës, por askush nuk dëshiron paqen më shumë se ne”, ka shkruar Zelensky në një seri postimesh në “X” të shtunën në mëngjes.

Zelensky theksoi mirënjohjen për mbështetjen e SHBA-së ndaj Ukrainës në tre vjetët që kur Rusia pushtoi vendin e tij. Në përplasjen e së premtes, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, pyeti nëse lideri ukrainas kishte qenë mjaftueshëm mirënjohës për mbështetjen amerikane.

“I jemi shumë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për të gjithë mbështetjen. I jam mirënjohës presidentit Trump, Kongresit për mbështetjen e tyre dypartiake dhe popullit amerikan. Ukrainasit e kanë vlerësuar gjithmonë këtë mbështetje, veçanërisht gjatë këtyre tre vjetëve të pushtimit”, përsëriti Zelensky në postimet në rrjetet sociale.

Udhëheqësi ukrainas theksoi se, pavarësisht nga përplasja e së premtes, Ukraina dhe SHBA-ja “mbeten partnerë strategjikë”.

“Por ne duhet të jemi të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin për të kuptuar me të vërtetë qëllimet tona të përbashkëta”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka thënë se Ukraina është e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet për të cilën kishte udhëtuar në SHBA, por vuri në dukje se “kjo nuk mjafton”.

“Ne kemi nevojë për më shumë se kaq. Një armëpushim pa garanci sigurie është i rrezikshëm për Ukrainën. Ne kemi luftuar për tre vjet dhe populli ukrainas duhet të dijë se Amerika është në anën tonë. Ne duam vetëm marrëdhënie të forta me Amerikën dhe me të vërtetë shpresoj se do t'i kemi ato”, ka shkruar Zelensky.

Në atë që pritej të ishte takim miqësor i Zelenskyt me Trumpin dhe zëvendëspresidentin JD Vance të premten në Shtëpinë e Bardhë, ndodhi e papritura kur shpërtheu përplasje e zhurmshme që u pa drejtpërdrejt nga e gjithë bota. Presidenti ukrainas udhëtoi në Uashington për t’u takuar me Trumpin pasi presidenti amerikan u shpreh se negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare. Por takimi nuk shkoi siç duhet dhe përfundoi para kohe. 

Gjithçka çka ndodhi dje në takimin Zelensky - Trump