Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka zbuluar “planin e shumëpritur të fitores” në Parlamentin e Ukrainës të mërkurën, duke i kërkuar vendit të prekur nga lufta të qëndrojë i bashkuar, në një kohë të pasigurt përpara zgjedhjeve presidenciale të aleatit të saj kryesor, SHBA-së, raporton Reuters.
Teksa trupat ruse avancojnë në lindje dhe afrohet dimri me mungesa të energjisë elektrike, ai u ka thënë deputetëve se plani i tij përfshin pesë pika, që varen në aleatët e Kievit, përfshirë ftesën për t’iu bashkuar NATO-s dhe mbështetjen me armë.
“Së bashku me partnerët tanë, ne duhet t’i ndryshojmë rrethanat në mënyrë që lufta të përfundojë.
Pavarësisht asaj që dëshiron Putini, ne duhet ta ndryshojmë rrethanën, që Rusia të detyrohet ta zgjedhë paqen”, ka thënë ai, para ligjbërësve dhe zyrtarëve të lartë.
Pika e tretë e planit ka theksuar nevojën e Ukrainës për kapacitet parandalues jobërthamor, i cili sipas tij do të mjaftonin për ta shkatërruar fuqinë ushtarake ruse. Zelensky nuk ka dhënë detaje të tjera, por ka thënë se plani ka një shtesë sekrete, të cilën nuk mund ta zbulonte.
Plani, ka thënë ai, ka parashikuar gjithashtu rolin e Perëndimit në mbrojtjen e burimeve natyrore e minerale të Ukrainës nga sulmet ruse, si dhe kërkesat për rindërtimin e vendit pas luftës.
Fjalimi është ndjekur nga drejtuesit e lartë të ushtrisë, inteligjencës dhe politikës, si dhe ligjbërësit, disa prej të cilëve janë ngritur në këmbë herëpashershme për të duartrokitur.
Kremlini ka thënë se është shumë herët për ta komentuar në detaje planin e Zelenskyt, por ka deklaruar se Kievi ka nevojë “të zgjohet nga gjumi” dhe ta kuptojë kotësinë e politikave që i ndjek.