Botë

Zelensky e pranon se trupat ukrainase po kryejnë ofensivë në Rusi

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka pranuar se ushtria e tij po kryen një ofensivë brenda rajonit Kursk në perëndim të Rusisë, raporton “BBC”. 

Në një adresim televiziv të shtunën mbrëma, Zelensky tha se ushtria e Ukrainës po e shtyn luftën “në territorin e agresorit”. 

Fjalimi i Zelenskyt erdhi pesë ditë pasi Ukraina nisi operacionin, që e ka zënë në befasi Rusinë dhe ka shtyrë të bëhen evakuime masive në të dyja anët e kufirit. 

Në Ukrainë, kryeqendra Kiev dhe rajoni Sumy janë përballur me sulme ajrore ruse në orët e hershme të së dielës, kanë njoftuar autoritetet ukrainase. 

Një burrë 35-vjeçar dhe fëmija e tij katërvjeçar kanë humbur jetën në këto sulme, është thënë nga shërbimet e emergjencës të Ukrainës. 

Tre të tjerë janë plagosur, përfshirë një 13-vjeçar. 

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, në një postim në “Telegram” të dielën në mëngjes ka thënë se njësitet e mbrojtjes ajrore janë duke “operuar” dhe ka paralajmëruar civilët të strehohen. 

Zelensky në adresimin e tij të së shtunës mbrëma ka falënderuar “luftëtarët” e Ukrainës dhe tha se ka diskutuar për operacionin në Rusi me komandantin e lartë ushtarak Oleksandr Syrsky. 

“Ukraina po dëshmon që vërtetë mund ta kthejë drejtësinë dhe të përkujdeset për presion të nevojshëm ndaj agresorit”, ka thënë Zelensky. 

Thuhet se trupat ukrainase janë duke kërcënuar të marrin nën kontroll një qytet rajonal rus ndërsa po luftojnë mbi 10 kilometra brenda Rusisë. Është sulmi më i thellë brenda territorit rus që kur Rusia nisi pushtimin e shkallës së plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. 

Të paktën 13 persona janë lënduar – dy prej tyre seriozisht – në Khursk në orët e hershme të së dielës, ka thënë guvernatori rajonal Alexei Smirnov. 

Mbi 76 mijë janë evakuuar tashmë nga zonat kufitare, siç ka raportuar agjencia ruse e lajmeve “Tass”, dhe Smirnov ka thënë të dielën se ka urdhëruar zyrtarët të përshpejtojnë operacionin që të dërgohen civilët në vende të sigurta. 

Komiteti Kombëtar Anti-Terrorizëm i Rusisë ka caktuar një “operacion anti-terrorizëm” në tri rajone ruse të premten, në reagim ndaj inkursionit befasues të Ukrainës.  Kjo nënkupton se autoritetet në rajonet kufitare Kursk, Belgorod dhe Bryansk, mund të kufizojnë lëvzjet e njerëzve e veturave ndër të tjera.