Botë

Zelenksy takohet me Papën në Vatikan

Volodymyr Zelensky dhe Papa Françesku

Foto: Associated Press

Papa Françesku është takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Vatikan të premten, në takimin e tyre të dytë në katër muaj, raporton Reuters.

Dy burrat, që më herët janë takuar në samitin e G7-s në Italinë jugore këtë verë, kanë biseduar për 35 minuta në pallatin apostolik të Vatikanit.

Në fund të takimit, Françesku ia ka dhuruar Zelenskyt një vepër arti prej bronzi - një lule duke u rritur pranë një zogu, ku është e shkruar fraza “Paqja është si lule e brishtë”.

Presidenti i ka dhënë papës një pikturë me ngjyra vaji, ku paraqitet një fëmijë në mes të shkatërrimeve të qytetit ukrainas Bucha, afër Kievit, i cili ishte i pushtuar nga forcat ruse për 33 ditë në pranverë të vitit 2022.

Ukraina dhe Perëndimi i akuzojnë forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës gjatë pushtimit të Buchas, gjë që Moska e mohon.

Zelesnky po udhëton nëpër Evropë këtë javë për ta diskutuar “planin e fitores”, me liderët e Britanisë, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe kreut të NATO-s.

Papa nxiti zemërim në mesin e zyrtarëve ukrainas në mars, kur sugjeroi se duhet ta kishin guximin e për të negociuar përfundimin e luftës me Rusinë. Në atë kohë, Zelensky i hodhi poshtë komentet e Papës.

Françesku, 87-vjeçar, gjithashtu i ka kritikuar planet e ligjbërësve ukrainas për t’i ndaluar aktivitetet e lidhura me Rusinë të degëve të Kishës Ortodokse Lindore, për të cilat Kievi thotë se shpërndajnë propagandë pro-ruse dhe se ruan spiunë.

Papa është takuar privatisht të enjten me liderin e Kishës Katolike Greke të Ukrainës, kryepeshkopin Sviatoslav Shevchuk.

Peshkopi, i cili qëndron në Kiev, ka qenë në Romë për një samit të peshkopëve botërorë në Vatikan.

“Doja t’i tregoja Papës për fatkeqësinë e luftës dhe për sfidat që do të përballemi këtë dimër”, ka thënë Shevchuku për median e Vatikanit.