Botë

Zbulohet motivi prapa shpërthimit të Cybertruckut para hotelit të Trumpit

Tesla at hotel Trump

Burri që vdiq brenda Cybertruckut të Teslas që shpërtheu jashtë hotelit Trump në Las Vegas të mërkurën nuk kishte armiqësi ndaj presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe me gjasë vuante nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), ka bërë të ditur FBI-ja.

Matthew Livelsberger, anëtar i ushtrisë amerikane me detyrë aktive nga Kolorado, që u gjet i vdekur brenda automjete, gjithashtu kishte probleme të tjera familjare, ka thënë FBI-ja.

Zyrtarët theksuan gjithashtu se sulmi vdekjeprurës me kamion në New Orleans që la 14 të vdekur më herët në ditën e Vitit të Ri, nuk kishte lidhje me shpërthimin në Las Vegas.

Policia ka thënë se shpërthimi në Las Vegas dukej të ishte “rast tragjik i vetëvrasjes”.

“Nuk ka asnjë provë që këto dy ngjarje janë të lidhura”, ka thënë agjenti i FBI në Las Vegas, Spencer Evans, ndërsa zyrtarët dhanë informacione të reja mbi incidentin.

“Hapat hetimorë kanë zbuluar dhe informacionet e ushtrisë tregojnë se Livelsberger ka të ngjarë të ketë vuajtur nga PTSD-ja dhe ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se ka pasur probleme të tjera të mundshme familjare në jetën e tij që mund të kenë qenë faktorë kontribuues”, ka thënë Evans.

Të dhënat e zbuluara nga telefoni i Livelsbergerit, duke përfshirë një seri shënimesh që dukej se i kishte shkruar, tregojnë se 37-vjeçari vuante nga PTSD-ja që iu shkaktua gjatë kohës sa kishte marrë pjesë në luftime.

Trupi i tij u gjet brenda Teslas së djegur, e cila shpërtheu nga fishekzjarrët që Livelsberger kishte blerë rrugës për në Las Vegas nga Kolorado.

Identiteti i Livelsberger ishte konfirmuar përmes një kampioni të ADN-së që autoritetet morën nga një anëtar i familjes.

Policia ka thënë se 37-vjeçari gjithashtu duket se ka pësuar një plagë të vetë-shkaktuar me armë zjarri.