Botë

Zbardhja e së vërtetës për antraksin vdekjeprurës të kohës sovjetike

Aksidenti i 1979-s dhe mbulimi pasues i rastit ka rifituar relevancë së fundi, teksa shkencëtarët janë vënë në kërkim të origjinës së COVID-19

Pacientë me pneumoni të pashpjegueshme kishin nisur të shfaqeshin nëpër spitale; brenda pak ditësh, me dhjetëra vdiqën. Policia sekrete i mblodhi të dhënat e mjekëve dhe i urdhëroi ata që të qepnin gojët. Spiunët amerikanë mblodhën gjurmë rreth një rrjedhjeje nga laboratori, por autoritetet lokale e kishin një shpjegim më të zakontë: mishi i kontaminuar.

U deshën më shumë se një dekadë që e vërteta të dilte në shesh.

Në prillin dhe majin e 1979-s, së paku 66 persona vdiqën si pasojë e bakterit të antraksit të përhapur nga ajri që kishte dalë nga një laborator ushtarak në Bashkimin Sovjetik. Por e përditshmja amerikane “New York Times” shkruan se shkencëtarët amerikanë i janë bindur pretendimit të sovjetikëve se patogjeni kishte kaluar nga kafshët te njerëzit. Vetëm pas një hetimi të plotë në vitet ‘90, një prej këtyre shkencëtarëve i konfirmoi dyshimet e mëhershme: Aksidenti në atë që tani është qyteti rus i Uraleve, Jekaterinburgu, ishte rrjedhje prej laboratori dhe atë prej më vdekjeprurësve të dokumentuar ndonjëherë.

Këtyre ditëve, varrezat e disa prej atyre viktimave duken të braktisura. Janë shlyer emrat nga pllakat e metalit vendosur prapa varrezave në periferi të qytetit, ku ishin varrosur në arkivole të spërkatura me dezinfektues bujqësorë. Por rrëfimi i aksidentit që ua mori jetët dhe mbulimi i krejt rrethanave shoqëruese ka fituar tani një rëndësi shumë më të madhe teksa shkencëtarët janë vënë në kërkim të origjinës së COVID-19, ka shkruar New York Times.

E vërteta e dalë në shesh pas shumë vjetësh

Rasti i shumë vjetëve më parë tregon se si qeveritë autoritare mund ta formësojnë suksesshëm narrativin e shpërthimit të një sëmundjeje dhe si mund të kalojnë vite – dhe, mbase, të ndërrohen regjime – ashtu që e vërteta të dalë në pah.

“Thashetheme prej më të egrave vërtetë përhapen rreth çdo epidemie”, ka shkruar Joshua Lederberg, biolog amerikan që fitoi çmimin Nobel, në një memoar pas udhëtimit faktkërkues të 1986-s në Moskë. “Versioni aktual sovjetik është shumë afër mendsh”.

Shumë shkencëtarë besojnë se virusi që e shkaktoi pandeminë COVID-19 ka evoluar te kafshët dhe në njëfarë pike ka depërtuar te njerëzit. Por, sipas NYT, shkencëtarët po bëjnë thirrje për hetime më të thella rreth mundësisë së një aksidenti në Institutin e Virologjisë në Wuhan të Kinës. Ka njashtu shqetësime të gjithmbarshme se Qeveria kineze – e cila, sikurse ajo sovjetike dekada më parë, e hedhë poshtë mundësinë e rrjedhjes nga laboratori – nuk po u ofron hetuesve ndërkombëtarë qasje dhe të dhëna që do t’i hidhnin dritë origjinës së pandemisë.

“Në interes të përbashkët të të gjithë nesh është që të zbulojmë nëse ishte shkaku i një aksidenti në laborator”, ka thënë Matthew Meselson, biolog nga Harvardi, gjatë një interviste për gazetën amerikane dhënë këtë muaj nga Cambridge. Me këtë pretendim ai aludonte në COVID-19.

Meselsoni, ekspert i luftërave biologjike, ishte mbyllur në një dhomë të vogël gjumi në shtëpinë e një miku të tijin në CIA gjatë 1980-s për t’i studiuar të dhënat e klasifikuara të Inteligjencës që sugjeronin se shpërthimi sovjetik i antraksit ishte i lidhur me një uzinë ushtarake në afërsi. Gjashtë vjet më vonë, raporton NYT, ai kishte shkruar se shpjegimi sovjetik për origjinën e natyrshme të epidemisë ishte “i besueshëm”.

Dëshmitë që sovjetikët ofruan ishin konsistente, tha ai, me teorinë se njerëzit ishin sëmurë nga antraksi intestinal që pati origjinën te mishi me eshtra i kontaminuar, i përdorur si ushqim për kafshët.

“Më vonë, më 1992-n, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, presidenti rus, Boris N. Yeltsin, pranoi se ‘zhvillimi ynë ushtarak’ ishte përgjegjës për shpërthimin e antraksit”, ka shkruar NYT.

Meselsoni dhe bashkëshortja e tij, antropologia mjekësore, Jeanne Guillemin, e vizituan Jekaterinburgun bashkë me ekspertë të tjerë amerikanë për një studim të përpiktë. Dokumentuan se si një erë që frynte nga veriu më 2 prill 1979 duhet të kishte shpërndarë përreth disa miligramë të sporeve të antraksit të liruar aksidentalisht nga uzina matanë një zone të ngushtë.

“Mund ta sajoni një rrëfim krejtësisht të marrë dhe ta bëni atë të bindshëm teksa e zbukuroni tutje”, ka thënë Meselson, duke shpjeguar pse sovjetikët kanë pasur sukses në eliminimin e dyshimeve mbi versionin e laboratorit.

Image

Petku i fshehtësisë dhe interesat kombëtarë

Në Sverdlovsk, siç njihej Jekaterinburgu në kohën sovjetike, këto dyshime u shfaqën pak pasi që njerëzit nisën të sëmureshin mistershëm. Kështu kanë treguar intervistat e bëra me banorët që i mbanin mend ato ditë.

Raisa Smirnova, asokohe punëtore 32-vjeçare në një fabrikë të afërt qeramikash, thotë se kishte disa shoqe në godinën misterioze që i shfrytëzonin privilegjet e veçanta për ta ndihmua atë në prodhimin e portokajve që përndryshe nuk gjendeshin lehtë dhe të mishit të konservuar. Ajo kishte dëgjuar se aty edhe po bëhej një lloj pune sekrete me mikrobe, ndërsa lokalisht flitej që aty herë pas here ka pasur raste të sëmundjeve.

“Pse i ke duart e kaltra?”, kujton Smirnova pyetjen e një kolegu një ditë prill të 1979-s, kur ajo shkoi në punë qartazi duke shfaqur simptoma të nivelit të ulët të oksigjenit në gjak, ka shkruar NYT.

Ishte dërguar ngutshëm në spital me temperaturë të lartë dhe aty thotë se e kishte kaluar një javë të tërë pa qenë në vetëdije. Deri në maj, rreth 18 kolegë të saj kishin vdekur. Para se t’i lejohej kthimi në shtëpi, gazeta shkruan se agjentët e KGB-së e shtrënguan ta nënshkruante një dokumenti që ia ndalonte shprehjen rreth ngjarjes për 25 vjet.

Në qendrën epidemiologjike në Sverdlovsk, epidemiologu Viktor Romanenko ishte i vetëdijshëm për mbulimin e rastit. Ai thotë ta ketë ditur menjëherë se shpërthimi i sëmundjes që po e plandoste qytetin nuk mund të ishte antraksi intestinal i shkaktuar nga ushqimi, siç pretendonin autoritetet e larta shëndetësore. Modeli dhe koha e shpërndarjes së rasteve aludonin se burimi ishte nga ajri dhe se ishte një ngjarje që kishte ndodhur vetëm një herë, ka theksuar ai për NYT.

“E kishim kuptuar që të gjithë se kjo ishte skajshmërisht e pakuptimtë”, ka thënë Romanenko, i cili u bë zyrtar i lartë rajonal për shëndetin, në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik. Por duke jetuar në një shtet komunist, ai nuk pati zgjidhje tjetër pos t’i bashkohet korit, dhe ai bashkë me kolegët e tij i kaluan muajt duke konfiskuar dhe testuar mish. Agjentët e KGB-së shfaqeshin në zyrën e tij dhe ia mblidhnin të dhënat mjekësore. Bashkimi Sovjetik, sipas NYT, e kishte nënshkruar traktatin për ndalimin e armëve biologjike andaj në rrezik ishin interesat kombëtarë.

“Ishte e kuptueshme se duhej të largoheshim sa më shumë që ishte e mundur nga teoria e armëve biologjike”, kujton Romanenko. “Detyra ishte që të mbrohej nderi i vendit”, thekson ai për gazetën amerikane.

Por teksa Bashkimi Sovjetik po shkërmoqej, bashkë me të po shkërmoqej edhe aftësia e saj për të mbajtur sekrete. Për një dokumentar të 1992-s, korrespondenti i New York Timesit, Aleksandr Pashkov, ka gjurmuar një zyrtar të pensionuar të kundërinteligjencës në Ukrainë që kishte punuar asokohe në Sverdlovsk. Përgjimi i telefonatave në laboratorin ushtarak, ka thënë zyrtari, zbuloi se një teknik kishte harruar ta vendoste një filtër sigurie. Shumë pak kohë pas kësaj, ka raportuar gazeta, Yeltsini – i cili edhe vetë ishte pjesë e mbulimit, si zyrtar i lartë komunist në rajon gjatë 1979-s – pranoi se faji ishte i ushtrisë.

“Duhet ta kuptoni një gjë të thjeshtë”, ka thënë Pashkov për NYT. “Pse u bë e ditur krejt kjo? Rënia e Bashkimit Sovjetik”.

Mbrojtja karshi të vërtetës

Çifti bashkëshortor Meselson dhe Guillemin vizituan Jekaterinburgun edhe disa herë në të 90-at për të dokumentuar rrjedhjen. Duke i intervistuar të mbijetuarit, zbuluan vendndodhjen e viktimave dhe hetuan të dhënat mbi motin, me të gjetur në këtë mënyrë se Meselsoni dhe të tjerët kishin gabuar që i besuan narrativit sovjetik.

Megjithëse u refuzua në përpjekjet për zbardhjen e së vërtetës, Meselsoni thotë se përcaktimi i origjinës së epidemive bëhet më kritik kur në gjithë mesin përfshihet gjeopolitike. Sikur ai dhe kolegët e tij të mos e dëshmonin shkakun e shpërthimit asokohe, thotë ai, çështja do të mund t’i ngacmonte edhe sot e kësaj dite marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

E njëjta vlen edhe për hetimet rreth burimit të COVID-19, thotë Meselsoni për New York Timesin.

Për aq kohë sa burimi i pandemisë mbetet nën dyshim, ai thotë se çështja do të vazhdojë që t’i ngrejë tensionet me Kinën, shumë më tepër se sa e vërteta të dilte në pah.

Për dallim prej COVID-19, antraksi nuk bartej lehtësisht nga njeriu në njeri, arsye kjo pse rrjedhja nga laboratori në Sverdlovsk nuk shkaktoi epidemi më të gjerë. Megjithëkëtë, rasti nuk është zgjidhur ende plotësisht.

Nuk dihet nëse aktiviteti sekret në uzinë ishte i natyrës së zhvillimit të armëve ilegale biologjike – të cilat Bashkimi Sovjetik dihej se i bënte – apo për kërkime të vaksinave.

Nën presidentin Vladimir Putin, zbardhja e mangësive historike ruse është cilësuar përherë si diçka jopatriotike. Teksa Qeveria mbetet e heshtur për atë çfarë saktësisht ka ndodhur, një teori tjetër mori hov: Mbase ishin agjentët e Perëndimit ata që qëllimshëm e lëshuan antraksin për ta rrezikuar regjimin komunist.

“Koncepti i së vërtetës, në fakt, është tejet i ndërlikuar”, thotë për NYT Lev Grinberg, një patolog nga Jekaterinburgu, i cili ka ruajtur tinëz dëshmitë mbi natyrën e vërtetë të shpërthimit më 1979. “Ata që nuk duan ta pranojnë të vërtetën përherë do të gjejnë mënyra për të mos e pranua atë”.

Përgatiti: Nita Lleshi