Botë

Xi pritet në Budapest nga presidenti hungarez Sulyok

Presidenti kinez në Hungari

Presidenti i Kinës, Xi Jinping është mirëpritur nga presidenti hungarez, Tamas Sulyok në Budapest të enjten, raporton “Associated Press”.

Gjatë vizitës së tij, Xi pritet të finalizojë një sërë marrëveshjesh me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Bisedimet do të përqendrohen në investimet e ardhshme kineze në vendin e Evropës Qendrore, i cili ka krijuar lidhje të thella ekonomike me Pekinin.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka njoftuar se Xi dhe zyrtarët hungarezë  do të nënshkruajnë të paktën 16 marrëveshje dypalëshe gjatë kësaj vizite.

Szijjarto e ka quajtur vizitën e presidentit kinez si “historike” dhe ka thënë se Kina ka ofruar më shumë investime të huaja për Hungarinë se çdo vend tjetër në vitin 2023.

Disa nga marrëveshjet që do të nënshkruhen mund të përfshijnë investime në infrastrukturë dhe energji.

Xi dhe Orban ka të ngjarë të diskutojnë edhe për luftën në Ukrainë.

Kina ka pretenduar të jetë neutrale për luftën Rusi-Ukrainë, por ka refuzuar ta quajë sulmin rus pushtim dhe është akuzuar se ka forcuar kapacitetin ushtarak të Rusisë.

Hungaria në anën tjetër e ka dënuar pushtimin rus, por ka kërcënuar se do të bllokojë sanksionet e BE-së kundër Moskës dhe ka refuzuar t’i ofrojë Kievit mbështetje ushtarake.

Qeveria e Hungarisë i ka kërkuar Kinës që të marrë një rol udhëheqës në ndërmjetësimin e bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ka shprehur mbështetjen e saj për një plan paqeje të propozuar nga Kina.

 


 

Xi sot në Hungari, Ukraina pritet të jetë top agjendë në takimin me Orbanin

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të takohet të enjten me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, derisa lufta në Ukrainë dhe projektet infrastrukturore pritet të jenë top agjendë e takimit.

Ndalesa në Hungari do të jetë e treta në udhëtimin e tij të parë në Evropë brenda pesë vjetësh, raporton Reuters.

Xi i cili ka arritur në Budapest të mërkurën vonë, mund të ketë një pritje të ngrohtë në shtetin i cili është një partner i rëndësishëm në tregti dhe investime, për dallim prej vendeve të tjera të BE-së të cilat po shqyrtojnë diversifikimin nga Kina dhe bërjen sa më pak të varur nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Xi ka “krijuar marrëdhënie të thella” me politikanët hungarezë dhe Hungaria ka qenë “caku kryesor në rajonin e Evropës lindore për investimet kineze”.

Presidenti kinez ka arritur në Hungari pasi ka vizituar Francën dhe Serbinë. 

Në Paris, presidenti Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i kanë kërkuar atij që të ketë tregti më të balancuar me Evropën, dhe që të përdorë ndikimin e tij në Rusi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto ka thënë se Ukraina do të jetë në top agjendë gjatë bisedimeve në Budapest të enjten mes Xi-së dhe Orbanit.

Hungaria dhe Kina, të cilat shënojnë edhe 75-vjetorin e marrëdhënieve të tyre diplomatike, pritet po ashtu të nënshkruajnë 16 deri në 18 marrëveshje të reja bashkëpunimi.