Botë

Xi nis të hënën turneun evropian, viziton Francën, Hungarinë e Serbinë

Xi Jinping dhe Emmanuel Macron

Xi Jinping dhe Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Ukraina, tregtia dhe investimet pritet ta dominojnë udhëtimin e parë të presidentit të Kinës, Xi Jinping në Evropë në pesë vjetët e fundit, ndërsa gjigandi aziatik rindërton marrëdhëniet e tij me jashtë, pas një mungese të zgjatur gjatë pandemisë Covid-19.

Xi do ta nisë turneun e tij në Paris të hënën, ku do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili po thekson së fundmi idenë e një autonomie strategjike të Evropës nga SHBA-ja, raporton AP.

Në një vizitë në Pekin vitin e kaluar, Macroni ka thënë se Franca nuk do të rreshtohej gjithmonë me SHBA-në në politikën e jashtme, një referencë e dukshme për mbështetjen amerikane për republikën vetëqeverisëse të Tajvanit, të cilën Kina pretendon se është territor i saj për t'u aneksuar me forcë nëse është e nevojshme.

Pasi Francës, Xi do të vizitojë Hungarinë dhe Serbinë, dy shtete këto që shihen si të afërta me Kinën dhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Vizita evropiane e Xi-së do të ndiqet nga afër në Uashington.

Udhëheqësi kinez do të mbërrijë në Francë pikërisht në momentin që Parisi po bën hapat e fundit në përgatitjet e tij për organizimin e Lojërave Olimpike Verore, një ngjarje në të cilën Kina investon një sasi të madhe prestigji kombëtar.

Franca e sheh vizitën e Xi-së e cila zyrtarisht shënon 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike francezo-kineze, si një moment të rëndësishëm diplomatik, dhe dëshiron të fokusohet në marrëdhëniet e jashtë të Kinës me BE-në.

Macroni e ka ftuar për takim të hënën me Xi-në edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.