Botë

Xi Jinping para vizitës në Serbi: S’do ta harrojmë bombardimin e Ambasadës në Beograd nga NATO

Xi Jinping

Xi Jinping

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, po e përdor vizitën në Serbi për të “dënuar” NATO-n për bombardimin e ambasadës kineze në Beograd 25 vjet më parë, shkruan “Politico”.

“25 vjet më parë sot, NATO bombardoi në mënyrë flagrante ambasadën kineze në Jugosllavi, duke vrarë tre gazetarë kinezë. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Populli kinez e vlerëson paqen, por kurrë nuk do të lejojmë që histori të tilla tragjike të përsëriten”, ka shkruar Xi në një letër të botuar nga gazeta serbe “Politika” të martën.

Zyrtarët e NATO-s thanë në atë kohë se ambasada kineze u godit gabimisht gjatë ndërhyrjes ushtarake për të mbrojtur popullsinë e Kosovës nga masakrimi nga forcat e Slobodan Millosheviqit. Ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të NATO-s nuk i kanë rënë pishman që kishin përdorur forcën në atë që ishte Jugosllavia e atëhershme, trashëgimia e aleancës është më e ndërlikuar në Ballkan dhe në Pekin.

Gjatë 78 ditëve të sulmeve ajrore, shumë civilë u vranë. “Human Rights Watch” ka thënë se numri i të vdekurve ishte 500, ndërsa zyrtarët serbë thanë se numri ishte afër 2 mijë. Serbia ka mbetur e përkushtuar për të qëndruar jashtë NATO-s.

Në Kinë, bombardimi i ambasadës provokoi zemërim të madh, duke shkaktuar protesta të rralla dhe incident diplomatik midis Uashingtonit dhe Pekinit. Zyrtarët kinezë dhe shumica e publikut nuk besuan - dhe ende nuk besojnë - se incidenti ishte aksident.

“Miqësia kinezo-serbe, e vulosur me gjakun e bashkatdhetarëve tanë, do të mbetet në kujtesën e përbashkët të popujve kinezë dhe serbë”, ka shkruar Xi.

Xi pritet të mbërrijë sot më vonë në Beograd. Do të jetë vizita e parë në pesë vjet. Ai kaloi dy ditë në Francë, ndërsa do ta vizitojë edhe Hungarinë për pjesën e fundit të udhëtimit.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do ta presë Xi-në sot dhe të mërkurën.

Kina ka forcuar lidhjet me rajonin e Ballkanit për një dekadë. Kina është investitori më i madh i huaj në Serbi.

Xi vizitoi Serbinë për herë të parë në vitin 2016, kur u nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe, duke përfshirë “Deklaratën për Partneritetin Strategjik”, duke reflektuar përpjekjen e Kinës për ta rritur praninë në Ballkan dhe më gjerësisht në Evropë.

LEXO EDHE: