Presidenti kinez, Xi Jinping i ka thënë homologut të tij rus, Vladimir Putin, se situata ndërkombëtare është e kapluar nga kaosi, por se partneriteti strategjik i Pekinit me Moskën është një forcë për stabilitet mes ndryshimeve më të rëndësishme në shekull.
Xi dhe Putin në maj premtuan një "epokë të re" partneriteti midis dy rivalëve më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara, të cilin ata e konsiderojnë si një hegjemon agresiv të Luftës së Ftohtë që mbjell kaos në të gjithë botën.
"Aktualisht, bota po kalon nëpër ndryshime të papara në njëqind vjet, situata ndërkombëtare është e ndërthurur me kaos”, i ka thënë Xi presidentit Putin në qytetin rus të Kazanit, në hapjen e samitit të BRICS.
"Por unë besoj fuqishëm se miqësia midis Kinës dhe Rusisë do të vazhdojë për breza dhe përgjegjësia e madhe e vendeve ndaj popullit të tyre nuk do të ndryshojë”, ka shtuar Xi.
Rusia dhe Kina po përpiqen ta portretizojnë Perëndimin sikur është në rënie.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kinën si konkurrentin e saj më të madh dhe Rusinë si kërcënimin më të madh të kombit, teksa presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se demokracitë përballen me një sfidë nga autokracitë si Kina dhe Rusia.
Bideni i është referuar Xi si një "diktator" dhe ka thënë se Putini është një "vrasës".
Putin e quajti Xi-në "mik i dashur" dhe tha se partneriteti me Kinën ishte një forcë për stabilitet në botë.
"Bashkëpunimi ruso-kinez në çështjet botërore është një nga faktorët kryesorë stabilizues në skenën botërore”, ka thënë Putin.
"Ne synojmë të përmirësojmë më tej koordinimin në të gjitha platformat shumëpalëshe në mënyrë që të garantojmë sigurinë globale dhe një rend të drejtë botëror”, ka shtuar ai.