Lideri kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për një konferencë të paqes për luftën ndërmjet Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, derisa ka ripërsëritur mbështetjen e Pekinit për zgjidhje me dy-shtete ndaj krizës në Gaza.
“Që nga tetori i kaluar, konflikti ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve ka eskaluar në mënyrë drastike, duke e hedhur popullin në vuajtje të jashtëzakonshme. Lufta nuk duhet të vazhdojë në mënyrë të pacaktuar. Drejtësia nuk duhet të abstenohet gjithmonë”, ka thënë Xi gjatë Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtete Arabe të enjten, raporton CNN.
Xi ka ripërsëritur se Kina mbështet themelimin e shtetit palestinez dhe anëtarësimin e tij të plotë në Kombet e Bashkuara, dhe se "mbështet një konferencë ndërkombëtare paqeje me bazë më të gjerë, më autoritare dhe efektive."
Kina gjithashtu do të sigurojë 70 milionë dollarë shtesë për krizën humanitare në Gaza dhe për të mbështetur rindërtimin pas konfliktit, ka bërë të ditur Xi, duke e çuar ndihmën e saj në një total prej 84 milionë dollarësh.
Ajo gjithashtu do të dhurojë 3 milionë dollarë për Agjencinë e OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë (UNRËA) për të mbështetur ndihmën e saj urgjente humanitare për Gazën, sipas Xi-së.
Dhjetëra delegacione nga shtetet arabe janë në Pekin për forumin, së bashku me liderët nga Egjipti, Bahreini, Tunizia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët po takohen veçmas me Xi-në këtë javë - një shenjë e forcimit të marrëdhënieve të Kinës në Lindjen e Mesme dhe përpjekjeve për t’u pozicionuar si ndërmjetës i paqes në konfliktin aktual.