Besimtarët kanë falur namazin e Fitër Bajramit për herë të parë të mërkurën në xhaminë historike në Greqi, e quajtur Xhamia e Re.
E mërkura ka shënuar herën e parë që prej viteve 1920 që objekti është përdorur për lutjet e Bajramit.
Objekti fillimisht ishte ngritur për një komunitet hebrenjsh të konvertuar në myslimanë në një kohë kur qyteti i Selanikut ishte një shkrirje kulturash brenda Perandorisë Osmane.
“Është gjë e bukur, është hera e parë që e provojmë këtë, as nuk e dinim që xhamia ekzistonte”, ka thënë Ismael Bedredin, pjesëtar i komunitetit të myslimanëve në Greqi, i cili ishte në mesin e 70 besimtarëve që falën Bajramin.
“Edhe pse kam jetuar këtu për 63 vjet, është hera e parë që e shoh... na është thënë se po hap dyert për herë të parë në 100 vjet, dhe kjo është jashtëzakonisht gjë e bukur”.
E ndërtuar në vitin 1902 nga arkitekti italian Vitaliano Poselli, ndërtesa historike në qendër të qytetit ndaloi së funksionuari si xhami në vitet 1920.
Komuniteti për të cilin u ndërtua – hebrenjtë e konvertuar në islam të njohur si Donmeh – u zunë në shkëmbimin e dhunshëm të popullsisë më 1923 mes Greqisë dhe Turqisë, kur myslimanët që jetonin në Greqi u dërguan në Turqi në këmbim të krishterëve ortodoksë që jetonin në Turqi. Si shumica e xhamive në Greqi, funksioni i ndërtesës ndryshoi disa herë përgjatë dekadave. Shërbeu si strehimore për refugjatët para se të kthehej në muze arkeologjik për 40 vjet.
Popullsia e Greqisë është shumicë e krishterë ortodokse, me komunitetin islam që përbëhet nga migrantët dhe vizitorët, si dhe një pakicë myslimanësh. Në Athinë, myslimanët kanë kryer lutjet në dhoma të veçanta deri në vitin 2020, kur nisi të operonte xhamia e parë e sponsorizuar nga shteti.