Një 11-vjeçare në Washington u largua nga shtëpia në orët e hershme të mëngjesit për t’u ikur të shtënave që e lanë të përgjakur e ia vranë të gjithë familjen.
Për ditë me radhë këtë javë autoritetet kanë hetuar rastin ku u vranë pesë persona. Tani, deklaratat e vajzës po i hedhin dritë asaj çfarë ka ndodhur.
11-vjeçarja kujtoi se u zgjua të hënën nga zhurma e të shtënave. Kur pa jashtë dhomës së saj, ajo pa babanë me gjak në kokë dhe vëllain 9 vjeç me gjak në gojë – të dy të shtrirë në dysheme.
Kur motra 7 vjeçe doli nga dhoma, 11-vjeçarja ka thënë se dëgjoi një të shtënë tjetër e më pas pa motrën e vogël që ra në dysheme, raportoi CNN.
Ajo u ka thënë hetuesve se më pas sulmuesi shkoi në dhomën e saj dhe gjuajti një a dy herë, duke e lënë të plagosur në dorë dhe qafë.
Pavarësisht dhimbjes që ndjeu nga plumbi, ajo u tha autoriteteve se e njohu armën. Ishte arma e babait të saj.
Dhe ajo e njohu edhe gjuajtësin. Ishte vëllai 15-vjeçar i saj.
Vajza ka treguar se e pa vëllain që i afrohej trupave të familjarëve për të parë nëse ishin gjallë, dhe u bë kinse kishte vdekur kur ai erdhi te shtrati i saj.
Nëna dhe vëllai tjetër 13 vjeç ishin qëlluar e vrarë diku tjetër në shtëpi.
Vajza u tha hetuesve se iku nga dritarja e dhomës pasi vëllai ishte larguar nga dhoma dhe se e kishte dëgjuar duke folur në telefon. Ajo shkoi te shtëpia e komshiut dhe ata e thirrën policinë për të raportuar vrasjet dhe 15-vjeçarin si vrasësin e tyre.
Por, nuk ishte hera e parë që iu bë Policisë atë mëngjes.
Shtatë minuta më përpara, 15-vjeçari kishte thirrur për ndihmë për veten, duke deklaruar se po fshihej në banjo. Ai i tha Policisë së vëllai 13 vjeç e kishte vrarë gjithë familjen dhe kishte bërë vetëvrasje.
15-vjeçari u arrestua kur autoritetet arritën në shtëpi. Të enjten, ai u akuzua në gjykatën për të mitur për pesë vrasje të rënda dhe një për tentim vrasje.
Të premten, prokurorët kërkuan që adoleshenti të shkonte në gjykatën për të rritur. Nëse shpallet fajtor dhe rasti i tij mbetet në gjykatën për të mitur, ai mund të mbahet deri në moshën 25 vjeç pa masa të tjera. Nëse dënohet në gjykatë të të rriturve, ai mund të dënohet me 25 vjet deri në burgim të përjetshëm.
11-vjeçarja ka thënë se vëllai i saj së fundmi kishte qenë “në shumë telashe” për dështim në disa teste në shkollë, dhe më vonë u ka thënë hetuesve se ai ishte i vetmi që e dinte fjalëkalimin e kasafortës ku babai mbante armën.