Dokumentet e brendshme të Qeverisë ruse, të para nga BBC-ja, kanë treguar në detaje se si është duke u punuar për të ndërruar ligjet e minierave në Afrikën Perëndimore, me ambicien për të larguar kompanitë perëndimore nga zona që ka rëndësi strategjike.
Rusia po u ofron qeverive në Afrikë “për mbijetesë të regjimit” në këmbim të aksesit në burimet natyrore strategjikisht të rëndësishme.
Dokumentet e brendshme të Qeverisë ruse, të para nga BBC-ja, kanë treguar në detaje se si është duke u punuar për të ndërruar ligjet e minierave në Afrikën Perëndimore, me ambicien për të larguar kompanitë perëndimore nga zona që ka rëndësi strategjike.
Kjo është pjesë e procesit të Qeverisë ruse për të marrë bizneset e grupit mercenar “Wagner”, të copëtuar pas grusht shtetit të dështuar në qershor të vitit 2023.
Operacionet multimiliardë-dollarëshe po kryhen kryesisht nga trupat mercenare ruse, të drejtuara nga burri që akuzohet për tentim vrasjen e Sergei Skripalit, duke përdorur agjentin nervor “Novichok” në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar – akuzë të cilën e ka mohuar Rusia.
“Është ky shteti rus që po del nga hija në politikat e saj në Afrikë”, thotë Jack Watlingu, specialist i luftës tokësore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara dhe një nga autorët e raportit.
Në qershorin e 2023-s, Yevgeny Prigozhin ka qenë ndoshta mercenari më i frikshëm dhe i famshëm në botë. Grupi i tij “Wagner” kishte nën kontroll kompani dhe projekte miliardadollarëshe, teksa luftëtarët e tij ishin në qendër të pushtimit rus të Ukrainës.
Pastaj ai vendosi të marshonte në Moskë, gjoja duke bërë thirrje për largimin e ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, por në realitet ai po kërcënonte presidentin Vladimir Putin në një mënyrë që nuk e kishte bërë askush më parë.
Operacionet e Wagnerit në duart e Inteligjencës ushtarake ruse
Brenda disa javëve ai vdiq në një aksident shumë të dyshimtë me avion, së bashku me shumicën e liderëve të “Wagnerit”. Në atë kohë ka pasur spekulime të shumta se çfarë do të ndodhte me grupin “Wagner”. Tash kemi përgjigjen.
“Është mbajtur një mbledhje në Kremlin, menjëherë pas rebelimit të Prigozhinit, ku është vendosur që operacionet e ‘Wagnerit’ në Afrikë do të binin nën kontrollin e inteligjencës ushtarake ruse, GRU-së”, ka thënë Watlingu.
Kontrolli do t’i jepej gjeneralit Andrey Averyanov, kreut të njësisë 29155, operacion ky i fshehtë dhe i specializuar në vrasjet e shënjestruara dhe destabilizimin e qeverive të huaja.
Por siç duket misioni i ri i Averyanovit nuk ishte destabilizimi i qeverive, por sigurimi i të ardhmes së tyre, për sa kohë që ata paguanin me dhënien e të drejtave për mineralet e tyre.
Në fillim të shtatorit, i shoqëruar me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Yunus-Bek Yevkurov, gjenerali Averyanovi filloi udhëtimin e tij në ish-operacionet e “Wagnerit” në Afrikë.
Ata filluan në Libi, ku u takuan me komandantin e luftës, gjeneralin Khalifa Haftar. Ndalesa e tyre e radhës ishte Burkina Faso ku u takuan me liderin 35-vjeçar Ibrahim Traoré.
Pas asaj ata zbarkuan në Republikën e Afrikës Qendrore, ndoshta operacioni më i suksesshëm i Wagnerit në kontinent, para se të niseshin për më Mali për tu takuar me liderët e juntës.
Në udhëtimin e radhës ata u takuan edhe me gjeneralin Salifou Modi, një nga ushtarët që mori pushtetin në Niger vitin e kaluar.
Këto takime demonstrojnë se dy burrat po udhëtonin për t’i siguruar partnerët e Wagnerit në kontinent se vdekja e Prigozhinit nuk nënkuptonte përfundimin e marrëveshjeve të biznesit të tij.
Raportimet nga takimi me kapitenin Traore të Burkina Fasos kanë konfirmuar se bashkëpunimi do vazhdonte në “aspektin ushtarak, duke përfshirë trajnimet e kadetëve dhe oficerëve të vendit në të gjitha nivelet madje edhe trajnime të pilotëve në Rusi”.
Vdekja e Prigozhinit thelloi marrëdhëniet e Rusisë me juntat në Afrikë
Shkurtimisht, vdekja e Prigozhinit nuk do të thoshte përfundim i marrëdhënieve të Rusisë me juntën atje. Në një mënyrë ajo vetëm sa i thelloi këto marrëdhënie.
Tri shtetet perëndimore afrikane me lidhje të forta me Wagnerin – Mali, Nigeri dhe Burkina Faso – kanë përjetuar të gjitha marrjen e pushteteve nga ushtria gjatë viteve të fundit. Që nga atëherë atë kanë shpallur tërheqjen nga blloku regjional Ecowas dhe kanë krijuar “Aleancën e Shteteve Sahel”.
Ndoshta më i lidhur me mercenarët rusë ka qenë Mali, ku ka pasur rebelime islamike, të kombinuara me disa grushtshtete, të cilat kanë bërë që shteti të dështojë.
Me herët, ndihma për siguri erdhi në formë të misionit të OKB-së të njohur si Minusma, së bashku me operacionin e gjatë të ushtrisë franceze kundër kryengritjeve.
Por nuk ka pasur pëlqim për Francën, ish-fuqi koloniale dhe kështu kur grupi “Wagner” ka ofruar të zëvendësonte operacionet e tyre të sigurisë me përkrahje ruse, oferta u pranua.
“Francezët janë toleruar, por nuk janë mirëpritur”, ka thënë Edwige Sorgho-Depagne, analiste e politikave afrikane që punon për “Amber Advisers”. “Mandati francez për të ndihmuar me krizat e terrorit në Sahel është konsideruar gjithmonë si i kufizuar në kohë. Kështu, fakti që francezët qëndruan për një kohë aq të gjatë – mbi 10 vjet – pa gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund krizës, nuk ndihmoi”, ka shtuar ajo.
Përtej pragmatizmit, ka pasur gjithashtu nostalgji.
“Në këto vende, Rusia nuk është aleate e re. Rusia ka qenë aty edhe më parë në vitet e ’70 dhe ’80. Ekziston një ëndërr për t’u kthyer në kohët më të mira, e cila shpesh lidhet me marrëdhëniet me Rusinë”.
Por, për juntat ushtarake që udhëheqin këto shtete, prezenca e ushtrisë së Rusisë ka përfitime të dukshme.
“Fillimisht, juntat ishin liderë kalimtarë. Ata supozoheshin të organizonin zgjedhjet dhe të kthenin institucionet demokratike. Por, tani paramilitarët rusë janë sjellë për të mbrojtur juntat ushtarake, duke i lejuar ata të qëndrojnë gjatë sa të duan”.
Junta ka urdhëruar që forcat franceze të largohen dhe Mali, tani kryesisht i varur nga Wagneri për sigurinë e tij të brendshme, ndryshim ky që shihet të ketë ndikim të menjëhershëm te malianët.
“Çfarë kanë ofruar rusët janë forcat sulmuese, me helikopterë me aftësi të avancuara”, ka thënë Watling. “Ata janë duke përdorur metoda tradicionale anti-partizane sovjetike. Sheh luftëtarë që janë ekzekutuar, gjithashtu edhe civilë të shënjestruar për shkak se kanë lejuar ose kanë lidhje me luftëtarë”.
Ka pasur mjaft supozime se forcat e “Wagnerit” kanë kryer abuzim të të drejtave të njeriut në kontinentin afrikan, gjithashtu edhe në Ukrainë dhe Siri, ku kishte prezencë organizata që dikur drejtohej nga Prigozhini.
Një nga incidentet e dokumentuara mirë ndodhi në qytetin qendror të Malit, Moura ku, sipas raportimit të BE-së, të paktën 500 njerëz besohet se janë ekzekutuar nga forcat maliane dhe nga “burra të bardhë të armatosur”, që dëshmitarët përshkruan se po flisnin “një gjuhë të panjohur”.
Teksa verifikimi nuk ka qenë i mundur, organizata e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” ka identifikuar sulmuesit si mercenarë rusë.
Rusia po “ofron siguri” në këmbim të pasurive natyrore
Në shkëmbim për ndihmën e konsiderueshme në siguri, qoftë edhe brutale, Wagneri ka kërkuar diçka në këmbim.
Mali, sikur shumë shtete afrikane, është i pasur me burime natyrore – nga druri deri te ari dhe po ashtu edhe me uranium dhe litium. Disa kanë vlerë, kurse të tjerat edhe rëndësi strategjike.
Sipas Waltingut, Wagneri ishte duke operuar në një traditë të njohur mirë: “Ekziston një mënyrë ruse e punës, sipas së cilës mbulohen kostot operacionale me aktivitete paralele biznesore. Në Afrikë, ajo bëhet kryesisht përmes koncesionit të minierave”.
Në secilin vend që operon Wagneri, është raportuar të ketë siguruar burime natyrore me vlerë, duke përdorur këto jo vetëm për të mbuluar çmimet operacionale, por edhe për të nxjerrë të ardhura të konsiderueshme. Rusia ka nxjerrë ar me vlerë 2.5 miliardë dollarë nga Afrika gjatë dy vjetëve të fundit, e cila siç duket ka ndihmuar financimin e luftës së saj në Ukrainë, sipas “Blood Gold Report”.
Këtë muaj luftëtarët rusë – ish-mercenarë të Wagnerit – kanë marrë nën kontroll minierën e arit Intahaka të Malit, afër kufirit me Burkina Fason. Për minierën artizanale, më e madhja në veri të Malit, janë shtyrë për shumë vite grupet e armatosura aktive në regjion.
Por, ka edhe diçka tjerët këtu, me potencialisht rëndësi të madhe gjeopolitike.
“Ne jemi duke vëzhguar rusët gjatë këtyre përpjekjeve për të larguar strategjikisht kontrollin e Perëndimit mbi qasjen në mineralet e burimet”, ka thënë Watlingu.
Në Mali, ligjet e minierave janë rishkruar kohëve të fundit për t’i dhënë juntës kontroll më të madh mbi burimet natyrore. Ky proces ka parë një minierë australiane të litiumit duke pezulluar tregtinë e aksioneve të saja, duke cekur pasigurinë lidhur me zbatimin e rregulloreve të reja.
Synimi i një shantazhi të ri nga Rusia
Ndërsa është e qartë se minierat e litiumit dhe arit janë të rëndësishme, sipas Watlingut ka shanse për një strategji edhe më të madhe nga rusët: “Në Niger rusët janë duke u përpjekur të arrijnë koncesione të ngjashme si në Mali, të cilat do të ndalojnë aksesin e francezëve në minierat e uraniumit në vend”.
Raporti detajon memorandumet e brendshme ruse të fokusuara për të arritur edhe në Niger atë çka është arritur në Mali. Nëse Rusia menaxhon të marrë kontrollin e minierave të uraniumit të Afrikës Perëndimore, Evropa mund të ekspozohet përsëri në të ashtuquajturën “shantazh të energjisë” ruse.
Franca është më e varur nga energjia bërthamore se çdo vend i botës, me 56 reaktorë që prodhojnë gati dy të tretën e energjisë së vendit. Gati një e treta e uraniumit të Francës importohet nga Nigeri. Ka pasur ankesa më herët sa i përket kushteve të tregtisë, me sugjerimet se ish-fuqia koloniale shfrytëzon kombet si Nigeri.
“Narrativa për veprimet e Rusisë është se shtetet perëndimore vazhdojnë të mbajnë qëndrim kolonial”, ka thënë Watlingu. “Është mjaft ironike, sepse afrimi i Rusisë, që është bërë për të izoluar këto regjime, për të kapur elitën e tyre dhe për të zhvatur burimet e tyre natyrore, është mjaft kolonial”.
Në realitet, “Trupat e Ekspeditës” shfaqen më shumë si një “Wagner 2.0”, sesa ndryshim radikal në politikën e jashtme ruse. Prigozhini ka ndërtuar lidhje të thella politike, ekonomike dhe ushtarake me kontinentin e Afrikës.
“Trupat e Ekspeditës” po operojnë në vendet e njëjta, me të njëjtat pajisje dhe – siç duket – me të njëjtin qëllim përfundimtar.
Watlingut, ndryshimi themelor qëndron në “transparencën e Rusisë gjatë ndjekjes së këtyre politikave”. Grupi “Wagner” i Prigozhinit gjithmonë i kishte ofruar Rusisë nivel të besueshëm mohimi në operacionet dhe ndikimin jashtë vendit.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës, shumë forca të sigurisë së Perëndimit thonë se maska ruse është hequr.
“Çfarë po synojnë të bëjnë ata është të përkeqësojnë krizat tona ndërkombëtare. Ata po përpiqen të nisin konflikte gjithandej dhe të zgjerojnë ato që tashmë ekzistojnë, duke bërë botën një vend më pak të sigurt për të jetuar”, ka thënë Watlingu. “Përfundimisht, kjo na dobëson ne në konkurrencën globale me të cilën jemi duke u përballur. Ndikimi nuk ndihet menjëherë, por me kalimin e kohës, do bëhet kërcënim serioz”.