Botë

Vritet punonjësi i Reutersit në Ukrainë

Ryan Evans

Një shtetas britanik, punonjës i agjencisë së lajmeve Reuters, Ryan Evans, u vra në Ukrainën lindore pas një sulmi me raketa në një hotel të shtunën, ka konfirmuar mediumi.

BBC ka raportuar të hënën se hoteli u godit nga trupat ruse.

“Ne po kërkojmë urgjentisht më shumë informacione në lidhje me sulmin, si dhe po punojmë me autoritetet në Kramatorsk dhe po i mbështesim kolegët tanë dhe familjarët. Iu dërgojmë ngushëllimet tona më të thella familjarëve të tij. Ryan i ka ndihmuar gazetarët tanë për t'i mbuluar ngjarjet mbarë botën”, thuhet në reagimin e Reutersit.

Nga ky sulm kanë mbetur të plagosur dy persona, ku njëri prej tyre me lëndime të rënda. Policia Kombëtare e Ukrainës ka thënë se trupi i 40-vjeçarit u gjet në rrënojat e hotelit, 19 orë pas kërkimeve intensive.

Familjen e punonjësit e ka ngushëlluar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ky është terrori i përditshëm rus që vazhdon”, thuhet në reagimin e tij.

Evans ka qenë këshillues për media i çështjeve të sigurisë.