Botë

Vritet një punëtor i OKB-së në Gaza, një tjetër plagoset

OKB-Gaza

(BBC) - Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se një nga anëtarët e stafit të saj është vrarë dhe një tjetër është lënduar derisa ekipi po udhëtonte drejt spitalit në Gazën jugore të hënën.

Në deklaratë thuhet se ata po udhëtonin me një veturë të OKB-së drejt Spitalit Evropian afër Rafahut, kur vetura është goditur.

OKB-ja nuk ka përmendur se kush ka qenë përgjegjës për sulmin.

Ushtria izraelite tha se në bazë të një hetimi fillestar, automjeti është goditur në një zonë aktive të luftës.

Ushtria tutje ka konfirmuar se ka marrë një raport nga OKB-ja që dy prej punëtorëve të saj janë lënduar në zonën e Rafahut. Tutje ka konfirmuar se incidenti është duke u hetuar.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka thënë se është thellë i shqetësuar për vdekjen e punëtorit në Gaza.

Në një deklaratë të ndarë, Guterres ka thënë se më shumë se 190 pjesëtarë të OKB-së janë vrarë në Gaza që prej nisjes së konfliktit.