Botë

Vriten dy ushtarë izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar

Bregu Perendimor

Foto: Associated Press

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se dy ushtarë janë vrarë në një sulm me armë zjarri në Bregun Perëndimor të pushtuar, teksa siç ka thënë, forcat e saj vazhdojnë një operacion të madh kundër grupeve të armatosura palestineze në veri të territorit.

Tetë ushtarë të tjerë janë plagosur kur një person i armatosur palestinez ka gjuajtur me armë zjarri në një pikë kontrolli në fshatin Tayasir, 2 km në veri të Tubas, thuhej në një deklaratë ushtarake. Sulmuesi është qëlluar për vdekje, sipas ushtrisë, raporton BBC.

Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez e kanë vlerësuar sulmin si një përgjigje ndaj operacionit izraelit në Tubas, Jenin dhe Tulkarm, por asnjëra nuk kanë thënë se qëndrojnë pas tij.

Ndërkohë, një zyrtar i OKB-së ka paralajmëruar se situata në kampin e refugjatëve në Jenin po shkon në një "drejtim katastrofik".

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar më 21 janar fillimin e një operacioni në shkallë të gjerë për të "mposhtur terrorizmin" në Jenin, tre ditë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Rripin e Gazës. Operacioni është zgjeruar në Tulkarm dhe Tubas javën e kaluar.

Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se forcat izraelite kanë vrarë 70 palestinezë në të gjithë Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor të pushtuar, që nga fillimi i vitit.

Shifra përfshin 25 të vrarët e raportuar në zonën e Jeninit dhe 13 në zonat Tubas dhe Tulkarm gjatë dy javëve të fundit.