Për sulmin me thikë që ndodhi në një aktivitet vallëzimi është një i arrestuar, 17-vjeçar, nga Banks në Lancashire. Autoritetet policore thanë se shumica e të plagosurve u lënduan derisa po i mbronin fëmijët.
“Fëmijët ishin duke ndjekur një aktivitet në një shkollë vallëzimi kur i armatosuri me thikë u fut në ambiente dhe filloi t'i sulmonte fëmijët. Besojmë se të rriturit u plagosën derisa po tentonin guximshëm t'i mbronin fëmijët”, ka njoftuar shefja e Policisë për rajonin, Serena Kennedy.
Motivi i sulmit mbetet i paqartë, por rasti nuk po lidhet me sulm terrorist.
Sulmin e ka dënuar kryeministri britanik, Keir Starmer.
Ai u shpreh se është i tronditur nga ngjarja dhe qëndron me familjet e viktimave.
“Lajmet janë të tmerrshme dhe thellësisht tronditëse. Jam me të gjithë të prekurit. Dëshiroj të falënderoj policinë dhe shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë”, ka shkruar ai në rrjetin social X.
Gazetari Tim Johnson njoftoi se ishte e tmerrshme ajo që e pa me sy.
“Ishte e tmerrshme. Kurrë s'kam parë diçka të tillë. Kishte kaq shumë makina police. Pashë burra dhe gra të ambulancës të përlotur. Njerëzit qëndronin të përlotur në rrugë. ka deklaruar gazetari që tha se shkoi në vendin e ngjarjes sapo ndodhi sulmi.
Të paktën 8 të lënduar nga therja me thikë në Angli
Të paktën tetë persona janë lënduar, disa prej tyre fëmijë, nga therjet me thikë në veriperëndim të Anglisë të hënën, thanë shërbimet e emergjencës.
Policia tha se e arrestoi një burrë dhe që e gjeti thikën, raporton agjencia “AP”.
Policia e Merseyside tha se oficerët u thirrën në mesditë në një adresë të Southportit, afër Liverpoolit.
Policia njoftoi për një “incident të madh”, por tha se nuk ka kërcënim ndaj publikut. Ka kërkuar që njerëzit ta shmangin zonën. Pamjet nga transmetuesi britanik “Sky” tregojnë disa vetura të policisë dhe ambulanca në rrugë.
Shërbimi ambulator i North West tha se mjekët trajtuan tetë njerëz me lëndime të therjes me thikë. Të lënduarit u dërguan në spitalet lokale.