Të paktën 110 njerëz, kryesisht të moshuar, janë vrarë brutalisht nga anëtarët e bandës në kryeqytetin Haitian, Port-au-Prince, sipas një grupi të të drejtave të njeriut.
Rrjeti Kombëtar i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut (RNDDH) ka thënë se një drejtues bande lokale i kishte vënë në shënjestër të moshuarit, pasi djali i tij u sëmur dhe më pas vdiq, raporton BBC.
Kreu i bandës thuhet se u konsultua me një prift vudu, i cili fajësoi vendasit e moshuar që praktikonin "magji" për sëmundjen misterioze të djalit.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se numri i njerëzve të vrarë në Haiti deri më tani këtë vit në dhunën spirale të bandave kishte arritur në 5,000.
Vrasjet ndodhën në lagjen Cité Soleil të kryeqytetit.
Sipas raportimeve, anëtarët e bandës morën shumë banorë të moshës mbi 60 vjeç nga shtëpitë e tyre në zonën e Wharf Jérémie, i grumbulluan dhe më pas i qëlluan ose i goditën për vdekje me thika dhe hanxhar.
Banorët raportuan se kishin parë trupa të gjymtuar duke u djegur në rrugë.
RNDDH-ja ka vlerësuar se 60 u vranë të premten, ndërsa 50 të tjerë u mblodhën dhe u vranë të shtunën, pasi djali i liderit të bandës kishte vdekur nga sëmundja e tij.
Teksa RNDDH-ja ka thënë se të gjitha viktimat ishin mbi 60 vjeç, një grup tjetër i të drejtave ka thënë se disa të rinj që ishin përpjekur të mbronin të moshuarit ishin vrarë gjithashtu.
Mediat lokale kanë raportuar se të moshuarit që besohej se ishin praktikues të vudu-së, ishin marrë sepse kreut të bandës i ishte thënë se sëmundja e djalit të tij ishte shkaktuar prej tyre.
Grupet e të drejtave kanë thënë se njeriu që kishte urdhëruar vrasjet ishte Monel Felix, i njohur gjithashtu si Mikano.
Mikano dihet se kontrollon Wharf Jérémie, një zonë strategjike në portin e kryeqytetit.
Sipas Romain Le Cour Grandmaison, një ekspert i Haitit në Iniciativën Globale kundër Krimit Transnacional (GI-TOC), zona është e vogël, por e vështirë për t'u depërtuar nga forcat e sigurisë.
Haiti është përfshirë nga një valë dhune bandash që nga vrasja në vitin 2021 e presidentit të atëhershëm, Jovenel Moïse.