Një anëtare kulti, e cila rrahu për vdekje vajzën e saj 2 vjeçe sepse ajo nuk mundi t’i kryente punët, është dënuar me nëntë vjet burgim në Australi.
Tillie Craig u zhduk nga ferma e “Ministrisë së Zotit” në vitin 1987, duke nxitur një kërkim prej dekadash të gjatë nga babai i saj, të cilit iu tha se ajo ishte adoptuar.
Në realitet, Tillie ishte vrarë me një tub plastik. Mbetjet e saj më pas ishin djegur nga lideri i kultit dhe ishin shpërndarë nëpër zonën e atij komuniteti në Neë South Wales.
62-vjeçarja Ellen Rachel Craig u akuzua për vrasjen e vajzës më 2022 pas një informacioni të Policisë. Më pas ajo u deklarua fajtore për vrasje nga pakujdesia.
Gjatë shqiptimit të dënimit të mërkurën, gjykatësja tha se Craig nuk kishte qëllim që t’i shkaktonte lëndim serioz Tillies, por shtoi se vdekja e saj ishte tragjike, raportoi BBC.
“Ajo vdiq në duart e dikujt roli i së cilës ishte ta mbronte”.
Sipas fakteve që u lexuan në gjyq, fëmijëve të komunitetit u kërkohej që të bënin punë, pavarësisht moshës së tyre, dhe shpesh rriheshin me një tub të zi për t’i disiplinuar.
Më 7 korrik 1987, Tillie kishte qenë duke fshirë kur nëna e saj “e pakënaqur” me punën e rrahu për vdekje.
Craig, që në atë kohë ishte 25 vjeç, më pas e futi vajzën brenda dhe tha: “Ajo ndaloi së marri frymë”.
Gjykata dëgjoi dëshmitë se gruaja e vendosi Tillien në një vaskë dhe priti për liderin e kultit, ku ai më pas u lut për ringjalljen e vajzës.
Lideri i njohur si Alexander Wilon ose “Papa” akuzohet se e dogji Tillien dhe e shpërndau hirin e saj, si dhe i ndaloi anëtarët e tjerë të kultit të flisnin për atë që kishte ndodhur.
Craig ishte përjashtuar nga kulti në nëntor 1987 dhe udhëtoi në Zelandën e Re ku pati jetuar nën pseudonime të tjera deri në arrestimin dhe ekstradimin më 2021.
Babai i Tillies e kishte vizituar disa herë kultin pas zhdukjes së vajzës, por e kuptoi se ajo kishte vdekur vetëm pasi ish-partnerja u arrestua.
“Nuk e mora vesh deri pas më shumë se 30 vjetësh më pas se vajza ime kishte vdekur”, tha ai në gjyq.