Botë

Vrasja e Sinwarit krijon mundësi por edhe shumë paqartësi për luftën në Gaza

Yahya Sinwar

Foto: Associated Press

Vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, nga forcat izraelite, është një kthesë dramatike në luftën brutale njëvjeçare në Gaza. Sinwar vlerësohet se ishte arkitekti i sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar në jug të Izraelit gjatë të cilit u vranë 1200 persona e u morën afro 250 pengje. Ai sulm ishte fillimi i luftës në Gaza e që tash është shtrirë edhe në Liban.

Vrasja e Sinwarit “preu kokën” e grupit militant palestinez, që ka marrë goditje të shumta muajt e fundit duke humbur shumë prej liderëve, shkruan agjencia “AP”. Dhe kjo është arritje e madhe për Izraelin në luftën e tij për ta shkatërruar Hamasin. 

Vrasja, që vjen vetëm 10 ditë pasi u shënua njëvjetori i fillimit të luftës në Gaza, mund të krijojë skenën për mënyrën se si do të zhvillohet lufta, ose madje mund të nxisë edhe përfundimin e saj – në varësi të mënyrës se si Izraeli dhe Hamasi zgjedhin të vazhdojnë. 

Vrasja e Sinwarit mund të shërbejë si rast për Izraelin që ta përfundojë luftën

Sinwar ishte emëruar në krye të Hamasit pasi lideri i mëhershëm i grupit, Ismail Haniyeh u vra në një shpërthim në Teheran në korrik, për të cilin sulm fajësohet Izraeli. 

Sinwar kishte kaluar vite duke e ndërtuar forcën ushtarake të Hamasit dhe besohet se kishte ideuar sulmin e 7 tetorit 2023. Pas atij sulmi, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1200 persona e rrëmbyen 250 tjerë, Izraeli u zotua se do ta shkatërrojë Hamasin dhe se do ta vriste secilin prej udhëheqësve të tij. 

Me Sinwarin në krye të listës së të kërkuarve, vrasja e tij është një arritje e madhe për Izraelin. Analistët thonë se vrasja e Sinwarit ia ka ofruar Izraelit, që ka pasur telashe për të bërë një strategji për dalje nga Gaza, një mundësi për t’i dhënë fund luftës. 

“Kjo do të ishte vërtetë qershia mbi torkë për Izraelin”, tha Nomi Bar-Yaacov, një bashkëpunëtor në Programin Ndërkombëtar të Sigurisë në think-tankun Chatham House me seli në Londër. “Duhet të jetë më e lehtë për të arritur një marrëveshje”. 

Me eliminimin e arkitektit të sulmit të 7 tetorit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tash mund t’u thotë izraelitëve se një nga qëllimet e luftës është arritur. Politikisht, kjo mund ta lejojë atë të jetë më fleksibël në një marrëveshje armëpushimi që i jep fund luftës në shkëmbim të pengjeve – një kusht që deri më tash kishte refuzuar ta pranonte, të paktën pjesërisht, thonë kritikët, sepse mund të kërcënonte pozitën e tij. 

Vrasja e Sinwarit mund të ketë implikime më të gjera

Analistët thonë se arritja mund të ndryshojë gjërat, saqë është edhe mundësi për Izraelin që të sinjalizojë se është i gatshëm t’i japë fund luftimeve të mëtejme në rajon, duke përfshirë edhe në Liban ku Izraeli po e lufton Hezbollahun. 

“Mundësia për t’i dhënë fund luftës tërësisht, si dhe në Liban,...është tërësisht në duart tona”, thotë Giora Eliand, ish-kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit. 

Ai ka thënë se Izraeli duhet ta përdorë vrasjen e Sinwarit për t’i paraqitur kushtet për përfundimin e luftërave në dy frontet. 

Familjet e pengjeve që po mbahen në Gaza po ashtu kanë mesazh të ngjashëm për Netanyahun. Një grup që përfaqësonte familjet e mirëpriti vrasjen e Sinwarit, por duke e parë si mundësi, i bëri thirrje Izraelit t’i rikoncentrojë përpjekjet drejt negocimit të një marrëveshjeje. 

“Netanyahu, mos i varros pengjet. Shkoni tani te negociatorët dhe publiku izraelit e paraqisni një iniciativë të re izraelite”, ka shkruar në rrjete sociale Einav Zangauker, djali i të cilit Matan po mbahet në Gaza. 

Khaled Elgindy, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme një think-tank me seli në Washington, paralajmëroi se Netanyahu ka treguar pak indikacione se po kërkon një fund të konfliktit, pasi Ushtria ka intensifikuar operacionet e saj në veri të Gazës javët e fundit. 

“Lufta...nuk ka përfunduar ende”, tha Netanyahu pas vrasjes së Sinwarit. 

Netanyahu qeverisë me mbështetjen e dy partive të ekstremit të djathtë që kanë kërcënuar se do ta rrëzojnë Qeverinë nëse lufta përfundon me një marrëveshje armëpushimi. Ata përsëritën kundërshtimin e tyre ndaj një marrëveshjeje edhe pas vrasjes së Sinwarit. Ata po ashtu janë mbështetës të krijimit të vendbanimeve izraelite në Rripin e Gazës, diçka që Netanyahu e ka përjashtuar publikisht si mundësi. 

Netanyahu, që po gjykohet nën dyshime për korrupsion, ka parë rritjen e tij politike gjatë gjithë luftës, pasi kishte marrë goditje pas sulmit të Hamasit vitin e kaluar. Zgjatja e luftës i lejon atij të gëzojë mbështetje të madhe.

Zyrtarët tjerë të Hamasit mund të jenë më të përulur

Sinwar u pa si një linjë e ashpër me lidhje të ngushta me krahun e armatosur të Hamasit dhe gjatë negociatave për armëpushim me Izraelin u pa se e kishte fjalën e fundit për çdo marrëveshje për Gazën dhe lirimin e pengjeve izraelite. 

Pozicionet e Sinwarit ishin në kundërshtim me ato të Izraelit. Ai iu përmbajt kërkesave për lirimin e qindrave të burgosurve palestinezë, tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza dhe një armëpushim të qëndrueshëm, edhe pse më shumë se 42 mijë palestinezë janë vrarë në luftën në vazhdim, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, dhe shumë prej territorit ka mbetur në gërmadha. 

Sipas Elgindyt, vrasja e Sinwarit ka të ngjarë t’i japë më shumë fleksibilitet dhe kontroll grupit të udhëheqësisë politike me seli në Katar. Në këtë grup janë Khalil al-Hayya dhe Khaled Mashaal, delegatë kryesorë të Hamasit në bisedimet disamujore. 

Këta liderë mund të jenë më reagues ndaj presionit nga Katari, një ndërmjetës kyç që është nikoqir i disa prej liderëve të Hamasit. Ndryshe nga Sinwar, këta udhëheqës gjithashtu nuk fshihen në Gaza, gjë që mund të përshpejtojë përparimin drejt një marrëveshjeje. 

Shumë paqartësi rreth të ardhmes së Hamasit

Për Hamasin, vrasja e Sinwarit lë një vrimë të madhe, ku e ardhmja e grupit mbetet e paqartë. Është goditje e madhe për grupin, që u desh ta përballonte vrasjen e shumë liderëve së fundi. 

Një sulm ajror izraelit në mars vrau Marwan Issan, zëvendësliderin e krahut ushtarak të Hamasit. 
Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit, u vra në një shpërthim në Teheran në korrik, për të cilin u fajësua Izraeli. 

Më pas në gusht, Izraeli vrau Mohammed Deif, shefin ushtarak të Hamasit dhe një nga arkitektët e sulmit të 7 tetorit. Hamasi nuk e ka konfirmuar këtë vdekje. 

Elgindy e ka quajtur vrasjen e Sinwarit një “goditje të madhe” për Hamasin. Por, ka shtuar, “nuk është fatale, pasi çdokush është i zëvendësueshëm”. 

Prapë, me shumë liderë e komandantë të vrarë së fundi, në këtë pikë, është e paqartë se kush do të ngjitet në krye.