Botë

“Vrasja e Nasrallahit nuk do të mbetet pa hakmarrje”, Khamenei shpall pesë ditë zie

Ayatollah Ali Khamenei

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, të shtunën ka shpallur pesë ditë zie për vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Në një postim në rrjetet sociale, Khamenei ka premtuar se gjaku i Nasrallahit nuk do të shkojë pa hakmarrje.

Ai ka thënë se sulmet e frontit të rezistencës ndaj Izraelit “të rraskapitur dhe në rënie” do të bëhen “edhe më të fuqishme”.

“Nasrallah u vra ndërsa po angazhohej në planifikimin për të mbrojtur njerëzit e pafuqishëm të periferive jugore të Bejrutit dhe shtëpitë e tyre të shkatërruara”, ka shkruar Khamenei.

Udhëheqësi suprem i Iranit u shpreh se megjithëse fronti i rezistencës ka humbur një “bartës të shquar të flamurit dhe Libani ka humbur një udhëheqës të pashembullt, Hezbollahu do të bëhet më i fortë”.

Khamenei shprehu ngushëllime për familjen e Nasrallahit, për frontin e rezistencës dhe për të gjithë komunitetin e shenjtë islamik.

Nasrallah u vra të premten nga sulmet ajrore izraelite në Bejrut.