Vrasja në Spanjë e Maksim Kuzminoviz, pilot rus që u arratis me helikopter dhe dokumente sekrete në Ukrainë, ka rritur frikën se Kremlini është duke shënjestruar përsëri armiqtë e tij.
Burrat që kanë vrarë Maksim Kuzminovin donin të dërgonin një mesazh. Kjo ishte e qartë për hetuesit në Spanjë edhe para se ta zbulonin identitetin e tij. Jo vetëm që vrasësit e kishin qëlluar Kuzminovin 6 herë në një garazh parkingu në jug të Spanjës, por edhe kaluan me makinë mbi trupin e tij.
Ata gjithashtu kanë lënë një të dhënë të rëndësishme rreth identitetit të tyre, sipas hetuesve: gëzhoja të fishekëve “Makarov” 9-milimetërsh, municion standard në bllokun ish-komunist.
“Ishte mesazh i qartë”, ka thënë një zyrtar i lartë i Policisë spanjolle, që po e heton rastin. “Do të të gjej, do të të vras, do të të kaloj përmbi me makinë dhe do të të poshtëroj”.
Kuzminovi është larguar nga Rusia për në Ukrainë duke fluturuar helikopterin e tij ushtarak “Mi-8” në territorin ukrainas dhe duke ua dhënë avionin së bashku me një sërë dokumentesh sekrete operativëve të inteligjencës ukrainase. Duke bërë kështu, ai ka kryer shkeljen e vetme, të cilën presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë disa herë se nuk do ta falte: tradhtinë.
Vrasja e tij në qytetin bregdetar spanjoll Villajoyosa muajin e kaluar ka rritur frikën se rrjetet e spiunazhit të Rusisë në Evropë janë duke vazhduar të operojnë dhe se janë duke i shënjestruar armiqtë e Kremlinit, pavarësisht përpjekjeve të përbashkëta për t'i çmontuar ato pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Shërbimet e inteligjencës ruse janë vënë në baza ushtarake dhe kanë filluar të operojnë në nivele agresive si në vend ashtu dhe jashtë vendit, ngjashëm me epokën e Stalinit, ka thënë Andrei Soldatovi, autor dhe ekspert i shërbimeve ushtarake dhe të sigurisë së Rusisë.
“Nuk bëhet më fjalë për spiunazh konvencional”, ka thënë Soldatovi. “Bëhet fjalë për operacione – dhe këto operacione mund të përfshijnë atentate”.
Në Spanjë, Kuzminovi ka jetuar “jetë të hapur”, ka thënë zyrtari i lartë i Policisë spanjolle. Ai ka shkuar në bare të njohura nga klientët rusë dhe ukrainas, duke harxhuar paratë që i ka marrë nga shteti ukrainas. Ai ka shëtitur rreth e rrotull Villajoyosas me makinën e tij Mercedes S-Class të zezë.
Mënyra si është gjetur nga vrasësit nuk është ende e ditur, edhe pse dy zyrtarë të lartë ukrainas kanë thënë se ai e ka kontaktuar një ish-të dashur, akoma në Rusi, dhe e ka ftuar të vinte ta vizitonte në Spanjë.
“Ky ka qenë gabim i madh”, ka thënë një nga zyrtarët.
Shenjat dalluese me sulmet e tjera të ndërlidhura me Kremlinin
Zyrtarët policorë, që flasin në mënyrë anonime, kanë thënë se vrasja kishte shenja dalluese si me sulmet e ngjashme të lidhura me Kremlinin, duke përfshirë atentatin e vitit 2019 ndaj ish-komandantit rebel çeçen në Berlin dhe helmimin e një ish-operativi të inteligjencës ushtarake ruse Sergei V. Skripal në Salisbury, Angli, në vitin 2018. Skripali i mbijetoi helmimit.
Dy vrasësit me kapela, që shihen në pamjet e kamerave të sigurisë nga parkingu i kompleksit të apartamentit ku qëndronte Kuzminovi ishin qartë profesionistë që përfunduan misionin e tyre dhe u zhdukën shpejt, kanë thënë zyrtarët e policisë.
“Nuk është e zakonshme në Spanjë që dikush të qëllohet me kaq shumë plumba”, ka thënë Pepe Álvarezi, shef i Departamentit të Policisë së Villajoyosas. “Këto janë shenja që tregojnë për krim të organizuar, organizata kriminale, profesionistë”.
Ndërsa nuk kanë dalë prova të pjesëmarrjes direkte të Kremlinit, Rusia nuk e ka mbajtur sekret dëshirën për ta parë Kuzminovin të vdekur. Disa javë pas largimit të tij, programi i njohur i lajmeve të mbrëmjes së Kremlinit ka transmetuar një segment që ka cituar pilotët e tjerë dhe komandantët e shërbimit të inteligjencës ushtarake duke kërkuar hakmarrje.
“Do ta gjejmë këtë person dhe do ta ndëshkojmë, me gjithë ashpërsinë e ligjeve të vendit tonë, për tradhti të vendit dhe të vëllezërve të tij”, ka thënë një nga komandantët, i cili nuk është identifikuar. “Ne i gjejmë të gjithë pas një kohe. Kemi shtrirje të madhe”.
Largimi i Kuzminovit ishte orkestruar nga një njësi e fshehtë e HUR, krahut të inteligjencës ushtarake ukrainase. Njësia është e specializuar në rekrutimin e luftëtarëve rusë dhe të agjentëve në territorin rus për të kryer misione sabotazhi. Disa ushtarë të njësisë kanë marrë trajnim special nga CIA për të vepruar në mjedise armiqësore.
Teksa njësia ka arritur të joshë rusë individualisht dhe ndonjëherë grupe të vogla të ushtarëve për t’u larguar, fluturimi i guximshëm i Kuzminovit – dhe vlera e madhe e gjërave që ai ka dërguar – ishte i paprecedent, ka thënë zyrtari i lartë ukrainas me njohuri rreth operacionit.
Suksesi i përpjekjeve të Ukrainës për të rekrutuar ushtarë rusë që largohen është i vështirë për t’u matur. Qindra qytetarë rusë u janë bashkuar njësive vullnetare që luftojnë së bashku me ushtrinë ukrainase dhe disa herë kanë kaluar në territorin rus për bastisje të pikave kufitare.
Kuzminovi ka thënë nëpër intervista se ai ishte i zhgënjyer pasi ka lexuar postimet e ukrainasve në internet.
“Unë e kam kuptuar se kush ishte në anën e mirë dhe kush ishte në anën e së vërtetës”, ka thënë ai në një intervistë për një blogger ukrainas.

Ikja e guximshme e Kuzminovit
Në një mbrëmje të 9 gushtit të vitit 2023, Kuzminovi ishte nisur me një helikopter ushtarak nga një bazë ajrore në rajonin Kursk në Rusinë perëndimore, për çka supozohej të ishte dërgesë e zakonshme e ngarkesave në një bazë tjetër të vendit. Me të në kabinë ka qenë edhe një teknik i quajtur Nikita Kiryanov dhe një navigues i quajtur Khushbakht Tursunov. Asnjëri nga ushtarët nuk e kishin ditur planin e Kuzminovit.
Pak pas nisjes Kuzminovi i ka fikur pajisjet e radiokomunikimit të helikopterit dhe është ulur në lartësinë detare prej vetëm 6 metrash për t’iu shmangur radarëve. Pastaj ai ka hyrë në Ukrainë.
Në intervistat me mediat ukrainase, Kuzminovi ka qenë i turpshëm për të treguar se çfarë kishte ndodhur pastaj. Vetëm ka thënë se e ka ulur helikopterin në një pikë takimi të paracaktuar në rajonin Kharkiv, vetëm 16 kilometra larg kufirit, ku është takuar me komandantët e HUR-it.
“Gjithçka ka shkuar mirë”, ka thënë ai në një intervistë.
Realiteti është më i komplikuar. Kur ka kaluar në Ukrainë, Kuzminovi ka befasuar disa ushtarë ukrainas, të cilët kanë filluar të gjuanin, sipas një zyrtari të lartë ukrainas. Në këtë ngjarje, Kuzminovi ishte qëlluar në këmbë.
Çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër të ekuipazhit nuk është e qartë. Një raport rreth tyre i televizionit rus, duke cituar një ekzaminues mjekësor, ka supozuar se të dy burrat ishin qëlluar dhe ishin vrarë nga afër dhe kanë sugjeruar se Kuzminovi i ka vrarë para se ta ulte helikopterin në tokë. Zyrtari i lartë ukrainas i përfshirë në operacion ka thënë se kjo nuk ishte e vërtetë.
“Ushtarët tanë i kanë qëlluar ata”, ka thënë zyrtari. “Përndryshe ata mund ta kishin vrarë Kuzminovin dhe mund të ishin arratisur”.

Në intervista Kuzminovi ka thënë se pjesëtarët e tij të ekuipazhit ishin të paarmatosur, por nuk ka shpjeguar kurrë se çfarë u ka ndodhur atyre.
HUR-i normalisht e ka konsideruar misionin si sukses të madh. Pak pas kësaj Kyrylo Budanovi, shef i inteligjencës ushtarake ukrainase, ka njoftuar se ky operacion do t'u jepte besim ushtarëve të tjerë rusë që mendojnë të largohen. Madje, agjencia e inteligjencës ka krijuar një film dokumentar rreth operacionit për të treguar triumfin e tij.
Kuzminovi kishte marrë pjesë në konferenca të ndryshme për media, kishte dhënë intervista për të denoncuar luftën e Rusisë dhe u bëri thirrje të tjerëve t’i ndjekin hapat e tij.
“Nuk do t’i bini pishman”, ka thënë ai në dokumentar. “Do të kujdesen për ju gjatë gjithë jetës”.
Qeveria ukrainase e ka paguar Kuzminovin 500 mijë dollarë dhe i kanë dhënë atij pasaportë ukrainase dhe emër të rremë: Ihor Shevchenko. Ata gjithashtu i kanë ofruar atij mundësinë për t’u bashkuar në luftën kundër Rusisë.
Në vend të kësaj, Kuzmonovi është larguar nga Ukraina në tetor, duke shkuar deri në Villajoyosa, qytet i vogël mesdhetar në Spanjë, i njohur nga turistët britanikë dhe të Evropës Lindore. Atje ai e ka marrë një apartament në katin e nëntë, rreth 10 minuta larg detit.
Ishte zgjedhje interesante për dikë të shënjestruar kaq qartë nga autoritetet ruse për likuidim. Rajoni është bazë e njohur operimi për figurat e krimit të organizuar rus, disa prej të cilëve kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës së vendit, kanë thënë autoritetet spanjolle.
Arrestimet e personave të lidhur me grupet kriminale ruse
Në vitin 2020, policia spanjolle ka arrestuar më shumë se 20 njerëz të lidhur me grupet kriminale ruse, disa prej të cilëve kanë qenë duke operuar në Alicante, provincë në të cilën gjendet Villajoyosani. Këta njerëz janë dënuar për pastrim të miliona dollarëve, të fituara nga trafikimi i drogës dhe i qenieve njerëzore, për zhvatje dhe vrasje me porosi, kanë thënë autoritetet spanjolle.
Një tjetër dezertor rus, i cili jeton në Spanjë dhe ka folur në kushte anonimiteti për shkaqe sigurie, e ka quajtur rajonin ku ka shkuar Kuzminovi “zonë të kuqe” të mbushur me agjentë rusë.
“Unë nuk do të shkoj kurrë atje”, ka thënë ai.
Në mëngjesin e 13 shkurtit një Hyundai Tucson i bardhë është futur në garazhin poshtë ndërtesës së apartamentit ku gjendej Kuzminovi dhe është parkuar në vendin bosh mes ashensorëve të përdorur nga banorët dhe laurës që të çon në rrugë. Dy burra kanë pritur aty për orë të tëra, sipas zyrtarit të lartë të Policisë spanjolle.
Rreth orës 4:20 pasdite, Kuzminovi është futur në garazh, është parkuar dhe ka filluar të ecte në drejtim të ashensorëve. Teksa ai ka kaluar para makinës së tyre, të dy sulmuesit kanë dalë, e kanë thirrur dhe pastaj kanë filluar ta qëllonin. Edhe pse ishte goditur nga gjashtë plumba, shumica prej tyre në trup, Kuzminovi ka arritur të vraponte për një distancë të shkurtër para se të rrëzohet te laura.
Dy vrasësit kanë rihipur në makinë dhe kanë kaluar sipër trupit të Kuzminovit gjatë ikjes. Makina është gjetur disa metra më larg, e djegur me ndihmën e ndonjë përshpejtuesi, sipas hetuesve. Specialistëve iu desh një javë për ta identifikuar llojin e makinës dhe për ta kuptuar se makina ishte e vjedhur – dy ditë para vrasjes – në Murcia, qytet një orë larg Villajoyosas.
Një njësi speciale në “Guardia Civil” është duke i vazhduar hetimet nën rregulla të rrepta fshehtësie. Autoritetet nuk e kanë konfirmuar publikisht se Kuzminovi ishte personi i vrarë. Ata mezi kanë arritur të binin në kontakt me zyrtarët në Ukrainë që mund t’i ndihmonin rreth çështjes.
Por në mesin e komunitetit të mërgimtarëve rusë dhe ukrainas që jetojnë në Villajoyosa ishte e qartë se kush ishte pas vrasjes.
“Të gjithë mendojnë se shërbimet e kanë vrarë”, ka thënë Ivani, 31-vjeçar, i cili është larguar nga qyteti i tij, Kherson, Ukrainë, në fillimet e luftës. “Ata janë gjithandej”.
Sipas raportit vjetor të Spanjës për kërcënimet e sigurisë kombëtare, që është publikuar këtë muaj, Rusia i ka rinovuar operacionet e veta të inteligjencës në vend, pas dëbimit të 27 diplomatëve rusë për shkak të luftës në Ukrainë. Edhe pse në numër të vogël, sipas raportit, spiunët rusë vazhdojnë të kërkojnë mënyra për të “destabilizuar mbështetjen e Spanjës për NATO-n”.
Në të kaluarën zyrtarët rusë kanë bërë gjithçka që është e mundur duke u përpjekur të errësojnë lidhjet e Kremlinit me atentate të ndryshme në Evropë. Rasti i Kuzminovit është ndryshe. Zyrtarët e lartë rusë kanë folur për vdekjen e tij me gëzim të maskuar.
“Ky tradhtar dhe kriminel është bërë kufomë morale, në momentin që e ka planifikuar atë krim të ndyrë dhe të tmerrshëm”, ka thënë Sergei Naryshkini, drejtor i shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse.
“Një qen ngordh si qen”, ka thënë Dmitri A. Medvedevi, ish-president rus, i cili është tani zëvendëskryetar i Këshillit të sigurisë së vendit.
Në kontrast me bujën e madhe që e ka shoqëruar largimin e Kuzminovit, autoritetet ukrainase kanë qenë kryesisht të heshtura për vrasjen. Zyrtarët e lartë shqetësohen se kjo mund t'i pengojë të tjerët të ndjekin shembullin e Kuzminovit.
“Kush do të bashkëpunojë me neve pas kësaj?” - ka thënë njëri nga zyrtarët e lartë ukrainas.
“Rusia do të shpërndajë intensivisht propagandë – është duke e bërë tashmë – se do të gjejnë të gjithë tradhtarët”, ka shtuar ai. “Ky është mesazh i fshehtë për të gjithë qytetarët e Rusisë, sidomos për personelin ushtarak, që do t’ju gjejmë nëse na tradhtoni”.
Përgatiti: Latra Gashi