Botë

Vrasja e deputetit britanik po hetohet si akt i mundshëm terrorizmi

Policia ka bërë të ditur se njësiti i policisë londineze i specializuar në kundërterrorizëm është aktualisht duke i udhëhequr hetimet fillestare lidhur me vrasjen në Kishën Metodiste Belfairs në lindje të Londrës. E përditshmja britanike “Daily Telegraph” ka raportuar se i arrestuari besohet të jetë një shtetas somalez

Një ligjvënës britanik është therur për vdekje nga një sulmues që iu vërsul me thikë gjatë takimit të tij me zgjedhësit brenda një kishe, në rastin që policia britanike është duke e hetuar si sulm i mundshëm terrorist.

David Amess (69), deputet nga radhët e partisë konservatore të kryeministrit Boris Johnson, është therur disa herë me thikë gjatë mesditës në Kishën Metodiste Belfairs në Leigh-on-Sea, në lindje të Londrës.

Një 25-vjeçar është arrestuar në vendin e ngjarjes nën dyshimin për vrasje, ndërsa policia ka njoftuar se njësiti i policisë londineze i specializuar në kundërterrorizëm është duke i udhëhequr hetimet fillestare. E përditshmja britanike “Daily Telegraph” ka raportuar se i arrestuari besohet të jetë një shtetas somalez.

Politikanët britanikë e përshkruan vrasjen si sulm kundër demokracisë.

“Davidi ishte burrë që besonte zjarrshëm në vendin e tij dhe në të ardhmen e tij, ndërsa ne sot e humbëm një shërbyes të mrekullueshëm publik dhe një mik e koleg shumë të dashur”, ka thënë Johnsoni, i cili është kthyer nga vizita në Anglinë Perëndimore, menjëherë pas lajmit për vrasje.

Ligjvënës të të gjithë spektrit politik në Britani të Madhe e kujtuan Amessin për mënyrën e tij xhentile të sjelljes dhe punën e pandalshme në luftën për të drejtat e kafshëve.

“Ai ishte jashtëzakonisht xhentil dhe i mirë”, ka thënë Carrie Johnson, bashkëshortja e kryeministrit britanik nëpërmjet Twitterit.

Në nder të tij, flamujt në të gjitha ndërtesat qeveritare britanike janë ulur në gjysmështizë.

Forcat e armatosura policore e rrethuan kishën dhe ekipet mjekësore bënë përpjekje për t’ia shpëtuar jetën deputetit të shtrirë në dyshemenë e kishës.

“Tragjikisht, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes”, ka thënë shefi i policisë në Essex, Ben-Julian Harrington. “U përket hetuesve që të përcaktojnë nëse ky sulm është akt terrorist apo jo. Si përherë, ata do të jenë mendjehapur”, ka thënë ai për Reutersin.

Harrington nuk ka dhënë hollësi të tjera lidhur me motivin e vrasjes në sulmin e dytë fatal kundër një ligjvënësi britanik brenda pesë vjetëve të fundit.

Vdekja e Amessit, i njohur për kritikat e tija ndaj Bashkimit Evropian, ka rikujtuar një sulm të ngjashëm të vitit 2016, pak ditë para se britanikët të votonin në referendum për divorc me BE-në.

Jo Cox, ligjvënëse laburiste që e kundërshtonte Brexitin, ishte vrarë nga një ekstremist djathtist që e kishte marrë atë në shënjestër gjatë takimit me zgjedhësit.

Amessi, i martuar dhe baba i pesë fëmijëve, kishte hyrë për të parën herë në Parlament më 1983, kur Margaret Thatcheri e udhëhiqte Partinë Konservatore. Më 2015 i ishte ndarë titulli “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth për shërbimet e tija publike.