Botë

Vrasësi i gruas ruse lirohet për herë të dytë nga burgu për të luftuar në Ukrainë

Gruaja e vrarë nga Ivan Rossomakhin

Gruaja e vrarë nga Ivan Rossomakhin

Një vrasës rus, i cili ishte liruar nga burgu për të luftuar në luftën në Ukrainë, dhe më pas kishte vrarë një grua të moshuar, është liruar për herë të dytë për t'u kthyer në front, sipas të afërmve të viktimës.

“Vrasësi i gjyshes i ka shpëtuar dënimit për krimin e tij përsëri, dhe ka shkuar të luftojë në luftë”, ka thënë për BBC-në, Anna Pekareva, mbesa e të vrarës, Yulia Byuskikh. 

Në vitin 2022, Ivan Rossomakhin ishte liruar nga burgu, ku po vuante një dënim me 14 vjet burgim për vrasje, për t'iu bashkuar grupit mercenar Wagner.

Më vonë ai ishte lejuar të kthehej në shtëpi në rrethin e Vyatskiye Polyany, në rajonin Kirov të Rusisë.

Atje ai kishte sulmuar dhe vrarë 85-vjeçaren Yulia, në shtëpinë e saj.

Vrasja ishte një nga disa të kryera nga kriminelët që ishin liruar nga burgjet në të gjithë Rusinë, për t'iu bashkuar grupit Wagner.

Në prill të këtij viti, 29-vjeçari Rossomakhin është shpallur fajtor për përdhunimin dhe vrasjen e Yulias, dhe është dënuar me 22 vjet burgim, duke u dërguar në një burg të sigurisë së lartë, dënim që më vonë i ishte rritur në 23 vjet. Gjykata gjatë dënimit kishte vënë në duke se vrasja "përfshinte brutalitet ekstrem".

Por Anna thotë se guvernatori i burgut tani ka njoftuar familjen se Rossomakhin është liruar më 19 gusht, vetëm një javë pas fillimit të vuajtjes së dënimit.

“Kam lexuar raportet e mjekësisë ligjore dhe e di se çfarë i ka bërë ky person gjyshes sime. Është monstruoze që është liruar sërish. Fakti që kjo po ndodh në shekullin 21... nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë atë që po ndodh!”, ka thënë ajo.

Anna Pekareva me gjyshen e ndjerë

Një dokument zyrtar i parë nga BBC-ja dhe i nënshkruar nga guvernatori i burgut, thotë se i burgosuri u lirua në lidhje me një ligj specifik rus, që lejon ushtrinë të rekrutojë të dënuar për t'i dërguar në vijën e frontit.

Është hera e dytë që vrasësi i dënuar lirohet nga burgu për të luftuar në Ukrainë.

Menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë, grupi mercenar Wagner i Yevgeny Prigozhin filloi të rekrutonte të dënuar nga burgjet për të luftuar në Ukrainë. Nëse të burgosurit do të pranonin të regjistroheshin, ata do të përfitonin një falje zyrtare nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Mijëra përdhunues, vrasës dhe kriminelë të tjerë, përfshirë Ivan Rossomakhin, u liruan nga burgimi dhe u dërguan në vijën e parë të frontit.

Pas kryengritjes së dështuar të Prigozhinit vitin e kaluar, kur mijëra mercenarë të Wagnerit marshuan në Moskë, regjistrimi i të burgosurve nga burgjet u mor përsipër nga ushtria ruse. Praktika u zyrtarizua në një ligj zyrtar federal në mars të këtij viti.

Sipas ligjit, kriminelëve të dënuar që regjistrohen për të luftuar u pezullohen dënimet e mbetura për kohëzgjatjen e shërbimit të tyre ushtarak. Disa madje mund të marrin një falje zyrtare nëse fitojnë çmime, për shembull për "trimëri" në fushën e betejës.

Ukraina ka liruar gjithashtu disa të burgosur për të luftuar në front, megjithëse personat e dënuar për vrasje ose shkelje seksuale nuk e kanë këtë të drejtë. Zëvendësministrja ukrainase e Drejtësisë, Olena Vysotska ka thënë për agjencinë e lajmeve AP në fillim të këtij viti se deri në 3,000 të burgosur i janë bashkuar ushtrisë.

Gatishmëria e Kremlinit për të liruar kriminelë shumë të rrezikshëm si Rossomakhin dhe për t'i dërguar ata në luftë tregon se ushtria ruse ka nevojë për më shumë rekrutë.

“Është e qartë se nuk ka fuqi ushtarake të mjaftueshme”, shprehet Anna.

Ajo shton se lirimi i Rossomakhin do të thotë se familja e saj tani është në rrezik ekstrem.

"Nëse ai kthehet, ai do të përpiqet të hakmerret ndaj nesh, për përpjekjet tona për të siguruar që ai të marrë një dënim të përjetshëm”, shprehet ajo.