Botë

Vrasësi i 77 personave në Norvegji nuk është i sëmurë mendor

Anders Breivik

Vrasësi Anders Breivik nuk është i sëmurë mendor sipas një raporti të ekspertëve të paraqitur në gjyqin ku po diskutohet nëse terroristi i ekstremit të djathtë mund të lirohet me kusht.

Në një raport të paraqitur në gjykatën norvegjeze, Kare Nonstad, psikolog dhe Pia Jorde Lovgren, psikiatre, thanë se Breiviku nuk duhet të konsiderohet psikotik ose i sëmurë mendërisht ose fizikisht, raporton agjencia norvegjeze e lajmeve NTB.

Breivik u dënua në vitin 2012 për vrasjen e 77 personave në kryeqytetin norvegjez Oslo dhe në ishullin Utoya në korrik 2011. Ai vrau tetë persona me bombë në Oslo dhe më pas edhe 69 të tjerë në një kamp veror të të rinjve në Utoya.

Nonstad dhe Lovgren besojnë se Breiviku i kreu sulmet si rezultat i radikalizimit politik, megjithëse ai gjithashtu ka tipare narcisiste.

Ata thanë se nuk besonin se kishte ndonjë bazë për ta shpallur 45-vjeçarin të papërgjegjshëm penalisht.

Të dy dëshmuan në ditën e dytë të gjyqit në burgun e sigurisë maksimale Ringerike. Sot do të jetë dita e fundit e seancës ku po diskutohet mundësia që 45-vjeçari të lirohet me kusht.

Nuk pritet vendimi deri më vonë, por shanset për lirimin e Breivikut konsiderohen të pakta.

Raporti prej më shumë se 100 faqesh është vlerësimi i parë për Breivikun që nga dënimi 12 vjet më parë.

Që atëherë, ka pasur diagnoza dhe pyetje të ndryshme lidhur me shëndetin mendor të tij.

Breivik u dënua me 21 vjet burgim – dënim maksimal në Norvegji - ndonëse mund të mbahet në afat të pacaktuar nëse shihet se përbën rrezik.