Botë

Von der Leyen premton mbështetje për zgjerimin nëse rizgjidhet në krye të KE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar kandidaturën si udhëheqëse e Partisë Popullore Evropiane për një mandat të ri pesëvjeçar. Kandidatura e Von der Leyenit është shpalosur nga Manfred Weber, shef i këtij grupimi politik të qendrës së djathtë evropiane, që është grupi më i madh në Parlamentin Evropian. Ajo ka premtuar se nëse fiton do të vazhdojë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në asistencën financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor

Presidentja aktuale e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, dëshiron edhe një mandat 5-vjeçar në krye të Komisionit pas zgjedhjeve, të cilat do të zhvillohen prej 6 deri më 9 qershor të këtij viti.

Ajo të mërkurën, në selinë e Parlamentit Evropian, ka shpalosur kandidaturën e saj si kandidate udhëheqëse e Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupimit më të madh në Parlamentin Evropian.

Nëse ajo fiton si kandidate udhëheqëse, atëherë kjo parti do të insistojë që ajo të bëhet përsëri kryetare e Komisionit Evropian për një mandat të ri.

Von der Leyen ka folur për rezultatet e saja deri tash në krye të KE-së dhe ka përmendur procesin e zgjerimit ndër sukseset.

Ajo ka thënë po ashtu se do të mbetet mbështetëse e fuqishme e procesit të zgjerimit, si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe në mandatin e ri nëse e fiton atë.

“Unë gjithmonë kam qenë mbështetëse e zgjerimit të BE-së dhe në të njëjtën kohë kam insistuar qartë se ky do të mbetet proces i bazuar në meritat individuale. Mbetem e përkushtuar ndaj këtij parimi dhe jam po ashtu e lumtur se vendet e Ballkanit Perëndimor, sikur edhe Ukraina e Moldavia, po bëjnë gjithçka që është e mundshme që të përparojnë në rrugëtimin evropian”, ka thënë Von der Leyen.

Ajo ka folur po ashtu edhe për planin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se është shumë e rëndësishme se vendet anëtare e kanë miratuar tashmë planin sa u përket mjeteve financiare, ndërsa tash, sipas saj, janë duke u punuar hollësitë për të nisur sa më shpejt edhe pagesat nga ky plan.

Ajo ka përmendur punën që po bëhet edhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe në strukturat e Bashkimit Evropian për të definuar kriteret e qarta për pagesa nga ky fond.

“Sapo të përmbushen ato kritere bazike do të mund të nisin me pagesa”, ka thënë Von der Leyen.

Von der Leyen ka theksuar se në mandatin e saj të ri nuk do të punojë me ata që janë kundër Ukrainës, kundër Bashkimit Evropian dhe kundër NATO-s, duke dërguar kështu porosi që qytetarët e Evropës të votojnë për partitë proevropiane në mënyrë që të parandalohet rritja e së djathtës apo e së majtës ekstreme në Parlamentin Evropian në të ardhmen.