Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë të ditur se do të udhëtojë për në Ukrainë të premten, me premtimin për 160 milionë euro fonde për energjinë, në mënyrë që të kalohet më lehtë dimri në vendin e shkatërruar nga lufta.
Von der Leyen u ka thënë gazetarëve të enjten se 100 milionë euro nga fondet do të jenë nga të ardhurat e aseteve ruse të mbajtura në BE për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Është e drejtë që Rusia të paguajë për shkatërrimin që shkaktoi”, ka thënë ajo, raporton AP.
Bashkimi Evropian vlerëson se rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar, duke e bërë punën e ngrohjes së shtëpive, spitaleve dhe shkollave gjithnjë e më të vështirë, ndërsa temperaturat bien përpara dimrit të tretë me luftë, me të cilin do të përballet vendi.
Von der Leyen ka thënë se Rusia e dinte mirë se bombardimi i stacioneve energjetike ishte goditje për pikën më të dobët të Ukrainës.
“Si miq dhe partnerë të Ukrainës, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbajtur dritat ndezur. Dhe ndërsa dimri po afron, ne duhet të mbajmë ngrohtë popullin e guximshëm të Ukrainës”, ka deklaruar von der Leyen.
BE-ja po përpiqet të decentralizojë prodhimin e energjisë përmes përdorimit të paneleve diellore dhe teknologjive të tjera të reja në Ukrainë për ta bërë më të vështirë që sulmet ruse të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në rrjetin e energjisë.
BE-ja vlerëson se i ka dhënë Ukrainës të paktën 2 miliardë euro si mbështetje energjetike që nga pushtimi i shkurtit të vitit 2022.
Von der Leyen ka bërë të ditur se do të takohet të premten me presidentin Volodymyr Zelensky në Kiev për të diskutuar çështjet e energjisë.