Botë

Vjet piu acid për “t’u shpëtuar” talebanëve. Sot ka mesazh për afganet e tjera

Një luftëtar taleban qëndron roje teksa gratë presin të marrin racione ushqimore Foto: AP

Një luftëtar taleban qëndron roje teksa gratë presin të marrin racione ushqimore Foto: AP

“Ajo ka peshuar 20 deri në 22 kilogramë kur e kemi takuar”, ka thënë mjeku anonim që e ka trajtuar Arzon. “Ajo ka ardhur te ne me karrocë dhe ka qenë duke qëndruar vetëm në krevat. Do t’i mjaftonte veç një grip a ftohje për të vdekur”.

Duke e mbajtur pasqyrën në dorë, Arzo me kujdes rregullon vetullat e saj, teksa bëhet gati për mësimin e anglishtes afër shtëpisë së saj në periferi të qytetit Karachi të Pakistanit.

Çdo hap e afron drejt së ardhmes, të cilën e ka konsideruar të pamundur rreth një vit më parë, kur ajo zbriti në bodrumin e shtëpisë së familjes në Afganistan dhe u përpoq t’ia merrte jetën vetes.

“Atë ditë, jam ndier sikur gjithçka përfundoi. Isha e pashpresë dhe prandaj piva acid, e bindur se kjo do i jepte fund jetës sime”, ka thënë Arzo.

Në atë kohë, Arzo ishte 15-vjeçar, por peshonte sa një 4-vjeçare. Ishte dobësuar pas disa muajsh të tërë urie, pavarësisht përpjekjeve të familjarëve për ta ushqyer përmes një tubi të vendosur në stomak.

Tani, pas intervenimit të jashtëzakonshëm, Arzo është duke u rikuperuar – por ballafaqohet me kërcënimin që mund ta detyrojë familjen e saj të rikthehet në Afganistan dhe të jetojnë nën regjimin e talebanëve, që është bërë i patolerueshëm për gratë dhe vajzat.

Pakistani, vend i miliona refugjatëve të Afganistanit, po kryen dëbime masive. Që nga 15 shtatori më shumë se 600 mijë njerëz kanë kaluar kufirin e kërcënimi është se do të shtohen valët e dëbimit.

Çfarë i pret ata është sistemi i aparteidit gjinor – shkelje ndaj grave dhe vajzave që janë aq “të rënda” sa që një zyrtar i lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thënë se mund të cilësohen si krime ndaj njerëzimit.

Kjo e ka shtyrë Arzon të përpiqet t’i jepte fund jetës. 

“Pesha dhe shkalla e krimeve nuk mund të ekzagjerohet”, ka thënë Richard Bennett, raportues special i OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në Afganistan, teksa ka prezantuar raportin e regjimit të talebanëve më 18 korrik në Këshillin për të Drejtat e Njeriut. “Ne kemi përgjegjësi kolektive për ta sfiduar dhe çmontuar këtë sistem dhe t’i mbajmë përgjegjës personat e caktuar”.

Zëdhënësi i Talebanit, Zabihullah Mujahid, e ka cilësuar raportin si përpjekje për t’i “njollosur perceptimet” për Afganistanin para një takimi të rrallë mes anëtarëve të OKB-së dhe zyrtarëve talebanë në Katar. 

Pavarësisht dënimit të ashpër ndaj regjimit taleban nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së, çështja e të drejtave të grave nuk do të jetë në agjendën zyrtare.

Në vend të kësaj, bisedimet do të fokusohen në luftën kundër narkotikëve dhe sektorin privat.

Afganet dhe anëtarët e shoqërive të tjera civile nuk janë të ftuara në takim – ato do të takohen ditën tjetër ndaras, pa talebanët, sipas një zyrtari të OKB-së.

Grupet e të drejtave të njeriut janë të zemëruar që takimi do të mbahet pa gratë afgane dhe thonë se kjo legjitimon liderët e Afganistanit dhe nuk i mban përgjegjës për padrejtësitë e rënda.

E kontrabanduar përtej kufirit 

Arzo nuk është emri i saj i vërtetë. Ajo, vëllai i madh dhe motra, Ahamad dhe Mahsa, janë duke përdorur pseudonime për t’i mbrojtur familjarët në Afganistan nga talebanët, që janë duke u përpjekur t’i heshtin kritikët e sundimit të tyre.

Ata janë duke u fshehur edhe nga autoritetet pakistaneze, të cilët kanë kërcënuar me arrestim dhe dëbim të të huajve pa dokumente, duke e bërë kështu të rrezikshëm çdo dalje nga dhoma me qira.
Pasi Arzo piu acid në Afganistan korrikun e kaluar, mjeku i ka thënë familjes se ajo ka shanse të vdesë nëse trajtohet atje, prandaj familja e kontrabandoi për në Pakistan, ku një tjetër mjek i ka vendosur tubin për ushqyerje.

Arzo Foto: CNN

Për një vit, vëllai dhe motra e kanë kaluar gati çdo orë brenda dhomës në Karachi, me tri krevate, një ventilator dhe qilim, ku hanë, studiojnë dhe lexojnë.

Gjatë kësaj kohe, Arzo ka qëndruar në krevat, e paaftë për t’u ushqyer, pasi acidi i ka krijuar një bllokim në ezofag.

Çdo tri orë, edhe gjatë natës, Ahamadi dhe Mahsa kanë thënë se e kanë ushqyer motrën me lëngje përmes tubit të vendosur në stomak.

Por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme dhe në nëntor Arzo ka peshuar vetëm 25 kilogramë. Deri atëherë paratë e tyre janë harxhuar gjithashtu, në qira e fatura mjekësore.

“Jemi pa para këtu. Çfarë kishim, e kemi harxhuar”, ka thënë Ahamadi, gazetar 27-vjeçar i kërcënuar nga talebanët për shkak të profesionit. “Nuk qaj para saj, por e puth dhe qaj teksa ajo fle”.

Ndërhyrja jetëshpëtuese 

Brenda disa orëve pas postimit të historisë së Arzos nga CNN-i dhjetorin e kaluar, një e-mail pati ofruar ndihmë.

Një organizatë jofitimprurëse ofroi kujdes shëndetësor, në kushtin se do të mbetet anonime. 
“Ajo ka peshuar 20 deri në 22 kilogramë kur e kemi takuar”, ka thënë mjeku anonim që e ka trajtuar Arzon. “Ajo ka ardhur te ne me karrocë dhe ka qenë duke qëndruar vetëm në krevat. Do t’i mjaftonte veç një grip a ftohje për të vdekur”.

Mjekët i kanë thënë vëllait dhe motrës ta rrisin trefish marrjen e kalorisë, që ajo të jetë mjaftueshëm e fuqishme për procedurën e parë mjekësore. Ekzaminimi endoskopik ka treguar se ezofagu i saj ishte i dëmtuar dhe gati sa nuk ishte mbyllur tërësisht. Duke përdorur rrezet X, mjekët kanë futur një tel brenda hapësirës dhe e kanë fryrë një ballon për ta hapur ezofagun.

“Brenda rreth dy muajve, me disa procedura, ne kemi qenë në gjendje ta hapnim ezofagun deri në atë pikë sa ajo ka qenë në gjendje të hante, çka për ne ka qenë e mrekullueshme”, ka thënë mjeku.

“Këto jetë nuk vlejnë asgjë”

Gjatë një interviste këtë muaj, Arzo ka qenë e ulur në krevat, ka rregulluar shaminë e saj dhe ka folur për herë të parë se pse është përpjekur t’i jepte fund jetës së saj.

Ishte korriku i vitit 2023 dhe ajo ka qenë duke ndenjur në katin e dytë të shtëpisë, në një provincë të Afganistanit, duke ngrënë atë që do të ishte racioni i fundit për muaj të tërë.

“Teksa po haja, shikoj fotografinë e shokëve të klasës dhe filluan të më mungonin”, ka thënë ajo.
Arzo nuk i ka parë shokët e klasës që kur talebanët e ndaluan edukimin sekondar të vajzave pasi morën pushtetin në gusht të vitit 2021. Ajo rrallë ka shkruar me ta, sepse interneti ishte ndërprerë. Duke vajtuar për shokët dhe jetën që donte, ajo ka zbritur poshtë te bateria që familja përdorte për energji elektrike në shtëpi dhe ia piu përbërësit. Motra e saj e ka gjetur dhe e ka detyruar të villte.

“Kur e pyeta se pse e ka bërë një gjë të tillë, përgjigjja e saj ishte zemërthyese”, ka treguar Mahsa.

“Këto jetë nuk vlejnë asgjë”, i kishte thënë Arzo.

Në atë kohë, Arzo ka qenë 15-vjeçare.

Mahsa gjithashtu ka humbur gjithçka për shkak të regjimit. Ajo ka qenë 22-vjeçare dhe ka diplomuar nga shkolla e mesme para ndalimit të edukimit të vajzave. Ajo ka pasur ambicie të bëhej dizajnere e fustaneve ose të punonte në një sallon bukurie, por këto ëndrra janë shuar shpejt.

“Kur shkova në Kabul, u regjistrova në program të qepjes. Megjithatë, për tre muaj, jetoja në frikë të vazhdueshme teksa talebanët na vizitonin përditë punëtorinë dhe na kritikonin se nuk e kemi vendosur shaminë. Në fund, na detyruan ta mbyllnim punëtorinë”, ka thënë ajo.

Talebanët kanë urdhëruar mbylljen e salloneve të bukurisë në korrik të vitit 2023. Në vend se të punonte, Mahsa e gjen veten duke u kujdesur për Arzon në Pakistan.

“Kur ishte në gjumë, na e ndalte pak stresin, por në momentet që ishte zgjuar gjatë racioneve, kjo ka qenë sfiduese për t’u përballuar”, ka thënë Mahsa.

Trajtimi i Arzos u ka hapur rrugën të mendojnë për të ardhmen e tyre, dhe për herë të parë në disa vjet, ato kanë pasur mundësinë të mendojnë për një jetë më të mirë.

“Kur shpresa mungon dhe jeta duket se nuk ka drejtim, mund të shfaqen ngjarje të papritura”, ka thënë Mahsa.

Arzo është e këmbëngulur ta lërë të kaluarën pas dhe ka shtyrë vajzat tjera në Afganistan të mos e ndjekin rrugën e saj.

“Mesazhi im për të gjitha vajzat në Afganistan që nuk mund ta vazhdojnë edukimin ose të shkojnë në shkollë, është që të qëndrojnë të forta dhe të mos e humbin shpresën”.

Nuk ka strehë të sigurt në Pakistan 

Teksa regjimi taleban është në fuqi, Arzo nuk dëshiron të kthehet në Afganistan, por të tre nuk janë të dëshiruar në Pakistan.

Tetorin e kaluar, Pakistani u dha një muaj afat rreth një milion imigrantëve afganë pa dokumente që të largoheshin, ose do të ballafaqohen me arrestim dhe dëbim. Më shumë se 600 mijë njerëz janë larguar. 89 për qind e tyre kanë thënë se e kanë bërë këtë për shkak të frikës nga arrestimi, sipas të dhënave të OKB-së. Në total më shumë se 30 mijë njerëz janë arrestuar dhe dëbuar.

Në periferi të Karachit, banorët e komunitetit afgan kanë menduar se janë të sigurt nga dëbimi. Zyrtarët e sigurisë kanë ardhur në këtë vitin e kaluar dhe kanë shkruar numra nëpër shtëpi, për numrin e anëtarëve dhe statusin e vizës.

Disa shtëpi janë markuar me “ACC” (Karta e qytetarit afgan), të tjerët me “POR” (prova e regjistrimit). Por pastaj në prill, qeveria ka shtuar rreth 800 mijë posedues të “ACC-së” në listën e dëbimit. Dhe data e skadimit për “POR” është vendosur më 30 qershor, duke i vendosur 1.35 milionë njerëz të tjerë në rrezik nga dëbimi.

Politika e Pakistanit për “të huajt ilegalë” nuk është ndryshe nga ajo e kombeve tjera, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Pakistanit, Mumtaz Zahra Baloch.
“Individët që janë këtu ilegalisht duhet të trajtohen sipas ligjeve të Pakistanit dhe kjo përfshin gjobë, burgim dhe dëbim”, ka thënë ajo. Baloch ka thënë se megjithatë ende nuk ka vendim nëse do të zgjaten këto viza apo jo.

Pakistani ka strehuar imigrantë afganë për dekada, por tani, në mes të sulmeve terroriste militante, zyrtarët e qeverisë thonë se ata e cenojnë sigurinë e vendit.

“Dhoma jonë është sikur burg” 

Në mars, kur Arzo nisi të rimarrë fuqinë, familja nisi të marrë kërcënime për dëbim.

Ka mënyra për t’u larguar nga Pakistani, por këto përfshijnë rrugët e rrezikshme përtej kufijve e lista të gjata të pritjes për t’u zhvendosur në një vend që i pranon.

Afganët pa viza nuk mund të punojnë ligjërisht në Pakistan dhe shumë prej tyre që kanë ikur nga pushteti taleban kanë mbetur pa para.

Arzo, me motrën dhe vëllain mbijetojnë nga ndihmat e vogla prej mbështetësve jashtë Pakistanit, që janë duke u përpjekur për të mbledhur para për t’i zhvendosur në Kanada.

Arzo e kupton se është me fat që është gjallë dhe thotë se është në gjendje të shkojë gjithkund për ta vazhduar shkollimin, të bëhet mjeke si ata që i kanë shpëtuar jetën.

“I falënderoj mjekët nga thellësia e zemrës”, ka thënë ajo. “Mesazhi për shokët e mi është të kenë durim. Një ditë, talebanët do të largohen nga Afganistani dhe ne do të jemi në gjendje t’i ndjekim ëndrrat tona”.
Por deri atëherë, gratë dhe vajzat do të jetojnë në një qetësi mbytëse, ku talebanët kanë nxjerrë mbi 52 dekrete të reja, duke e forcuar kontrollin mbi popullatën femërore, sipas raportit të OKB-së.
“Duhet të na tronditë fakti se ka një vend në tokë që ua mohon vajzave qasjen në shkollim, që ua mohon grave qasjen në punët më të paguara”, ka thënë Heather Barr, drejtoreshë e asociuar për të drejtat e grave në organizatën “Human Rights Watch”. “Gratë nuk mund të shkojnë në park. Nuk mund të ecin nën rrezet e diellit; nuk mund të ushtrojnë; nuk mund të merren me sport. Të gjitha gjërat që të bëjnë të ndihesh njeri”.

Në raportin e tij, raportuesi special i OKB-së, Bennett ka mbështetur thirrjet që aparteidi gjinor të jetë vepër e dënueshme dhe ka parashikuar një të ardhme të zymtë për gratë dhe vajzat nëse bota nuk vepron.

Arzo nuk e dëshiron një jetë të tillë për veten, motrën, ose gratë dhe vajzat që janë akoma në Afganistan. Ajo është duke mësuar anglisht, me shpresën se një ditë do të arrijë të largohet nga Pakistani për në një vend më të sigurt.

“Nuk e di çfarë na pret në të ardhmen, por për sa kohë që jam në Pakistan, do t’i vazhdoj mësimet”, ka thënë ajo. “Jam e vendosur t’i arrij qëllimet e mia... Tani nuk jam e frikësuar nga asgjë”.