Botë

Vizita në Korenë e Veriut që kushtoi qindra mijëra dollarë

Vizita në Korenë e Veriut që kushtoi qindra mijëra dollarë

Shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk lejohen të vizitojnë Korenë e Veriut. Por, një shtetas amerikan ishte i vendosur të realizonte qëllimin e tij, për të vizituar Korenë e Veriut edhe nëse do t’i duhej të blinte nënshtetësinë e një vendi tjetër

Për shumicën e botës, ditët e errëta të Covid-19 janë kujtim. Por jo në Korenë e Veriut, ka deklaruar Justin Martell, amerikani i parë që ka vizituar vendin e izoluar që nga fillimi i pandemisë, pesë vjet më herët.

Masa strikte shëndetësore, siç janë vendosja e maskës dhe matja e temperaturës, janë akoma rutinë, dhe pjesët e famshme turistike, që përfshinë dyqanet lokale, janë jashtë përdorimit si pasojë e frikës së shpërndarjes së virusit.

Martelli shtoi se paranoja e pandemisë mbetet akoma shumë thellë në Republikën Popullore Demokratike të Koresë (DPRK), sipas emrit zyrtar. Po ashtu ai ishte përballur me teori absurde për prejardhjen e virusit.

“Është një thashetheme se Covid-19 ka hyrë brenda vendit përmes një balloni të dërguar nga Koreja e Jugut”, thotë ai. Martelli është një producent filmi i lindur në Connecticut, i cili themeloi kompaninë “Pioneer Media”, e specializuar në dokumentimin e vendeve unike dhe të vështira për t’u qasur.

Ai ishte pjesë e një delegacioni të vogël që vizituan Korenë e Veriut javën e kaluar për t’i filluar përgatitjet për udhëtimet turistike të radhës.

Pasi kaluan pesë ditë në Korenë e Veriut për t’u përgatitur për kthimin e kufizuar të turizmit perëndimor, një delegacion i vogël i operatorëve të udhëtimit kaluan urën e lumit Tumen për t’u kthyer në Kinë, të hënën e kësaj jave.

Martelli dhe bashkudhëtarët e tij, australiani Rowan Beard i “Young Pioneer Tours”(YPT) dhe hungarezin Greg Vaczi i “Koryo Tours”, janë duke shfrytëzuar çdo minutë.

Të enjten ata ishin të organizuar për të filluar sjelljen e grupeve të vogla të turistëve perëndimorë në Rason, periferi të Koresë së Veriut, afër kufirit me Rusinë dhe Kinën. Turistë që kanë rezervuar vende janë nga: Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Macao dhe Xhamajka.

Beard, i cili ka udhëhequr udhëtime për në Kore të Veriut për më shumë se një dekadë, ka deklaruar se udhëtimet e ardhshme shënojnë hap të rëndësishëm pas disa viteve, të izolimit më ekstrem që kanë përjetuar veçse të izoluarit veri-koreanë.

“Jam mbi hënë pasi grupi i parë është duke shkuar këtë javë”, ka deklaruar Beard.

“Ka shumë entuziazëm në terren, është e vështirë të rikthehemi, dhe do të marrë kohë derisa të gjejë balancën”, ka deklaruar ai.

Shumë provoja kyç, siç është vizitimi i tregut të Rasonit për të tregtuar me banorët lokalë duke përdorur monedhën e Koresë së Veriut, për momentin nuk ofrohen. Pavarësisht këtyre mangësive, Beardi është optimist, pasi kanë filluar bisedimet me ministritë lokale për të rimarrë qasje në ato pjesë turistike dhe rindërtim të besimit hap pas hapi.

Po ashtu ai shtoi se llogaria e tij bankare që ka hapur në Ranson para më se një dekade akoma ka bilancin e njëjtë: rreth 25 jen kineze apo 3.29 euro.

Gjatë vizitës, operatorët e udhëtimit kanë diskutuar mundësinë e shtimit të përvojës së kinemasë lokale në listën e ardhshme të planeve. Kohëve të fundit Koreja e Veriut ka risjellë në jetë industrinë e saj të filmit nën Kim Jong Un, me publikimin e disa dramave të luftës koreane si “72 orë” dhe “Një ditë, një natë”, që shfaqen në kinema.

Kryeqyteti i Koresë së Veriut, Pyongyang, mbetet jashtë listës së vizitave nga vizitorët perëndimorë edhe pse turistët rusë kanë qasje që nga viti i kaluar pas forcimit të lidhjeve me Moskën.

Edhe pse pandemia i ndaloi të gjitha vizitat, amerikanët kanë qenë qysh moti të ndaluar të hyjnë në Kore të Veriut, që para pandemisë. Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka vendosur ndalim udhëtimi me 1 shtator 2017, pas vdekjes së Otto Warmbier, student amerikan 22-vjeçar, i cili ishte burgosur në Kore të Veriut, u kthye në shtëpi në gjendje jo të mirë dhe vdiq pak kohë më pas.

Martelli, i cili kishte vizituar Korenë e Veriut 11 herë deri atëherë, ishte aty kur ndalesa hyri në efekt.

“Isha duke kaluar kufirin Sinuiju-Dandong kur ndodhi, mendoj se isha turisti amerikan i fundit me pasaportë të SHBA-së që largohej nga DPRK-ja.

Pavarësisht ndalesës, Martelli mbeti i vendosur për t’u kthyer në Kore të Veriut.

“Nuk doja të ndaloja së ardhuri, nuk e doja që biseda të mbaronte”, shtoi ai.

Për të anashkaluar ndalesën e udhëtimit, Martelli mori shtetësi të dyfishtë nga Saint Kittis dhe Nevis, vend në detin e Karaibeve i njohur për programin e shtetësisë përmes investimit. Duke kontribuar me shifër gjashtëshifrorë në fondin e Kontributit të Shtetit për Ishullin e Qëndrueshëm, ai deklaroi se siguroi një pasaportë të dytë, që e lejoji ligjërisht të kthehet në Korenë e Veriut pa thyer rregullat e ndalimi të SHBA-së.

“Ishte rreth një vit punë me dokumente, kontrollim të prejardhjes, informatat financiare dhe të gjitha detajet e nevojshme”, shtoi ai.

Por pas luftës në Ukrainë, çmimet për programin e shtetësisë përmes investimeve janë rritur shumë.

Sipas tij çmimet janë dyfishuar dhe trefishuar si pasojë e rusëve që janë duke marrë pasaporta të dyta. “Tani është ngritur në 250,000 (238,992.50 euro), unë pagova shumë më pak se aq”.

Pavarësisht kostos ai e sheh si investim që ka vlerë.

“Duhet që përnjëmend të duash të shkosh, por këshilla ime është që nëse do të shpenzoni kohë dhe para, sigurohuni që pasaporta ofron më shumë sesa vetëm akses në Kore të Veriut. Pasaporta ime e Saint Kitts më lejon të udhëtoj në Rusi pa vizë, diçka që pasaporta e SHBA-së nuk mund ta bëjë”, deklaroi ai.

Beardi ka deklaruar se një youtuber  i njohur, që udhëton për të arritur më shumë shikime, është angazhuar në procesin e njëjtë për të marrë pasaportën e Spanjës, që kushton rreth 200.000 dollarë (191,091.00 euro).

Ndërsa politika e SHBA-së nxiti biseda mes udhëheqësve koreanoveriorë, tema e luftës së Rusisë në Ukrainë u trajtua me heshtje, ose me mungesë të kujdesshme përmendjeje.

Qeveritë perëndimore dhe ukrainase thonë se Pyongyangu ka dërguar trupa verikoreane për të luftuar në anën e Rusisë, me shumë njësi duke pësuar humbje të mëdha.

Vaczi, kryesori i udhëtimeve për në DPRK, për “Koryo Tours” ka observuar ndjeshmërinë ndaj subjektit.

“Kisha një guidë që ka qenë jashtëzakonisht i informuar për Evropën Lindore, por nuk e përmenda Ukrainën, kishte ndjesinë e një linje që t’i nuk e kalon”, deklaroi Vaczi.

Gjithsesi Martelli tregoi se guidat verikoreane ishin të vetëdijshëm rreth ngjarjeve botërore, nga tarifat e propozuara nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deri te konflikti në Ukrainë. Ai e gjeti perspektivën e tyre më të zbuluar, në atë që ata nuk e thanë, sesa në atë që e thanë.

“Ne folëm për gjeopolitikë, por rreth Ukrainës, ata më shumë dëgjuan, ishte temë që ata i qaseshin me kujdes, edhe kur shfaqnin mbështetje ndaj Rusisë”, shtoi ai.

Vaczi po ashtu potencoi se guidat treguan se janë të informuar rreth ngjarjeve botërore.

“Ata e dinin për ngjarjet e fundit në Kore të Jugut, tarifat e Trumpit, dhe situatën në Ukrainë, ata informohen sepse janë ata që merren me të huajt”, shtoi ai.

Vaczi e gjeti itinerarin në Rason, një zonë të veçantë ekonomike, e kufizuar dhe e pa frymëzuar.

“Shumë fabrika dhe shkolla, pa markete, pa spontanitet, shpejt bëhet përsëritëse”, deklaroi ai.

Gjithsesi janë disa ndryshime që vërehen. Rregullat e fotografisë, dikur shumë strikte, ishin shumë më të relaksuara.

“Ata më qortuan njëherë, dhe ishte sepse filmova një guidë”, deklaroi ai.

Gjithsesi Martelli deklaroi se ai e ndjeu trajtimin e të qenit amerikan, edhe me pasaportën Kittiane.

“Më kërkuan të fshija dy video të kapura në të njëjtën kohë, njëra ishte kur isha duke filmuar një vallëzim masiv të planifikuar dhe tjetra ishte sepse guida kishte përkthyer gabim një slogan propagandues dhe unë kisha bërë një video duke e shpjeguar sloganin në mënyrë të gabuar”, deklaroi ai.

Pavarësisht që ishte amerikan, Martelli ka deklaruar se ai nuk ka hasur në armiqësi. “Rreth komenteve antiamerikane, nuk kishte, një herë ishim duke ecur në parkun Hae’an, dhe disa fëmijë na panë dhe ikën, një nga guidat bëri shaka ‘mbase ata e dinë se ju jeni imperialistë amerikanë’ dhe unë ju përgjigja ‘jo, vetëm një’, dhe të gjithë qeshëm, nuk e mora si koment me qëllim të keq”, deklaroi ai.

Edhe simbolet e zakonshme të armiqësisë ndaj SHBA-së dukeshin më të zbutura. Martelli ka theksuar se ka vërejtur se ai nuk kishte parë të shfaqur asnjë poster propagande antiamerikane dhe i është dashur të kërkojë për pulla postare antiamerikane në librarinë e gjuhëve të huaja, pasi ata nuk shfaqeshin më në fillim.

Pavarësisht barrierave, ishte një përballje njerëzore, pa filtra, pa skripte dhe personale, që qëndroi me Martellin dhe bashkëpunëtorët e tij. Në shkollën lokale, Martelli e gjeti veten duke iu përgjigjur studentëve kureshtarë.

“Fëmijëve nuk iu interesonte rreth politikës, ata donin të dinin për muzikën, sportet, si ishte jeta në SHBA, ata donin lidhje”, deklaroi ai.

Përgatiti: Shkëlzen Dema