Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka pritur të mërkurën në Ankara, homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, raporton “Associated Press”.
Presidenti gjerman do të zhvillojë takime treditore në Turqi, me rast të shënimit të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Steinmeier gjatë vizitës së tij është takuar edhe me kryetarin e Stambollit, të rizgjedhur së fundmi, Ekrem Imamoglu.
Para Konsullatës së Gjermanisë në Stamboll u mbajt një protestë e organizuar nga Platforma e Solidaritetit të Gazës, me rreth 400 njerëz të cilët bënin thirrje kundër mbështetjes së Berlinit ndaj Izraelit në luftën e Gazës.
Një grup i vogël mbështetësish të Palestinës ndërprenë gjithashtu vizitën e Steinmeier në stacionin hekurudhor Sirkeci në Stamboll.
Edhe të martën gjatë vizitës së presidentit gjerman në Gaziantep në jug të Turqisë, u mbajtën protesta me protestuesit të cilët mbanin pankarta me mbishkrimin “Vrasësi Izraeli, bashkëpunëtor Gjermania”.