Botë

Viti i vështirë për Netanyahun

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, merr pjesë në gjyqin e tij mbi akuzat për korrupsion në gjykatën e qarkut në Tel-Aviv, Izrael, 16 dhjetor 2024

Foto: Associated Press

Megjithëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e mbyll vitin shumë më mirë sesa e filloi, e ardhmja e tij nuk është aspak e sigurt. Ai mbetet një figurë thellësisht përçarëse në skenën politike izraelite. Koalicioni i tij qeverisës është më i qëndrueshëm, por ende i brishtë. E imazhi ndërkombëtar i Izraelit mund të ndryshohet përgjithmonë

Në periudhën e njëjtë vitin e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte në stuhi.

"Ai filloi nga një pikë shumë e ulët”, tha Nadav Shtrauchler, një njohës politik që ka punuar ngushtë me Netanyahun. “Pika më e ulët që kishte”.

Shumë izraelitë e akuzuan atë se ishte duke fjetur më 7 tetor të vitit 2023, ditën e sulmit më vdekjeprurës ndaj hebrenjve që nga Holokausti. Disa madje thanë se ai e mundësoi këtë duke e financuar Hamasin.

Mbështetja e tij politike është e dobët, ndonëse lufta e Gazës ia mundësoi atij të anashkalonte thirrjet për zgjedhje. Sondazhet thonë se mbështetja për partinë e tij “Likud” ka rënë me 25% nga vetëm tre muaj më parë.

Në pamje të parë, viti që pasoi ishte mjaft i rëndë. Ai solli dhjetëra mijëra vdekje, konflikte rajonale, aktakuza dhe akuza për spastrim etnik dhe gjenocid. Por megjithatë, Netanyahu e mbyll vitin duke ndryshuar pozicionin e tij në Izrael.

"Unë jam duke drejtuar një maratonë”, tha ai në një sallë gjyqi në Tel-Aviv në fillim të këtij muaji, teksa përballej me akuzat - të cilat ai i mohon -  për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.  “Unë mund të vrapoj me 20 kilogramë në shpinë dhe mund ta vrapoj me 10 kilogramë në shpinë”.

Netanyahu në malin Hermon në Sirinë jugore, maja e të cilit u kap nga forcat izraelite pas rënies së Bashar al-Assadit. Foto: Qeveria izraelite

“Zotëri Siguria” edhe një herë

Netanyahu e ka kaluar vitin duke menaxhuar dhe në disa raste, siç pretendojnë kritikët e tij, duke nxitur një konflikt rajonal në zgjerim, ndërsa në të njëjtën kohë ka forcuar bazën e tij politike të brendshme.

“2024-a ishte viti në të cilin ai filloi të rikuperohej nga humbjet shumë serioze në imazhin publik”, tha analistja politike, Dahlia Scheindlin.

Po të mbaheshin zgjedhjet sot, “Likud” do të humbte ende disa vende, por mbështetja është kthyer në nivelet e para 7 tetorit. Opozita nga gjenerali në pension Benny Gantz është dobësuar. Netanyahu ka neutralizuar mospajtimin duke shkarkuar Yoav Gallant nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe duke sjellë politikanë besnikëria e të cilëve dhe marrëdhëniet e tyre me Knessetin ulin rrezikun që partitë e djathta ekstreme ose ultraortodokse mund të shembin koalicionin.

Ndërkohë që Gaza është ende e rrethuar dhe fotografitë me fytyrat e pengjeve janë të ngjitura kudo në rrugët izraelite, analisti Scheindlin thotë se Netanyahu po e rimerr veten si “lider i gatshëm dhe i aftë për ta mbrojtur popullin hebraik dhe për të parandaluar krijimin e një shteti palestinez”.

“Për izraelitët ai është, edhe një herë ‘Zotëri Siguria’”, shprehet Schneidlin.  

"Në momentin që Hezbollahu u përfshi", tha Scheindlin, duke iu referuar grupit militant libanez të mbështetur nga Irani, "gjithçka u shndërrua në diçka përtej dështimit të Netanyahut ose dështimit të qeverisë së tij”.

“Ai në moment u bë prova se pjesa tjetër e botës është kundër nesh dhe dëshiron të na vrasë dhe askush nuk e kupton ‘kërcënimin e oktapodit’ të Iranit më mirë se Netanyahu. Dhe kështu ai merr meritën për t'u marrë me të gjithashtu”, thotë Schneidlin.

Edhe gjyqi për korrupsion dhe një urdhërarrest i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) mbi pretendimin për krime lufte të kryera, Netanyahun e mbështetësit e tij s’po i ndal.

Ai përsërit vazhdimisht frazat e njohura që janë sa të zbrazëta aq edhe ngushëlluese: "një shtet palestinez është një shpërblim për terrorizmin" dhe Izraeli do të arrijë "fitoren totale".

Irani mund të jetë një mashtrues i njohur, por Shtrauchler argumenton se fushata ushtarake agresive izraelite ishte përtej qëndrimeve të zakonshme të Netanyahut, që para 7 tetorit ishte kundërshtues i përdorimit të taktikave “aventureske” ushtarake jashtë vendit.

“Ai e di se si ta marrë një situatë dhe të përshtatet me të. Politikisht nuk mendoj se shumë do të kishin besuar në nëntor ose tetor të vitit të kaluar se ky do të ishte statusi i tij tani”, thotë Shtrauchler.

Për një vit Izraeli mbajti një konflikt të nivelit të ulët në Liban, të nisur nga sulmet e Hezbollahut si mbështetje për Hamasin. Në fund të shtatorit të këtij viti, kjo ndryshoi dhe Izraeli nisi një ofensivë shkatërruese që vrau mijëra, zhvendosi më shumë se një milion dhe rrafshoi pjesën më të madhe të kufirit jugor të Libanit.

Strategjia agresive çoi në vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Shefi i Hamasit, Yahya Sinwar, gjithashtu u vra. Rënia e Bashar al-Assadit në Siri ndërpreu linjën më të rëndësishme të furnizimit të Hezbollahut me armatim nga Irani. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit fshinë planet e tyre për Sirinë dhe brenda pak ditësh shkatërruan kapacitetin detar, ajror dhe raketor të Assadit. Komandot izraelite pushtuan majën strategjike të malit Hermon, në Sirinë jugore.

"Një vit më parë, thashë diçka të thjeshtë: ne do të ndryshonim fytyrën e Lindjes së Mesme dhe ne me të vërtetë po e bëjmë këtë”, tha Netanyahu në fillim të këtij muaji pas një telefonate me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Trumpi në janar do të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i ardhshëm amerikan ka zgjedhur si ambasador në Izrael një ungjillor të krishterë, i cili nuk do të shqetësohet për thirrjet për një shtet të ardhshëm palestinez.

Megjithëse protestat propalestineze janë bërë të zakonshme në kryeqytetet perëndimore dhe liderët perëndimorë e kanë ashpërsuar retorikën e tyre, dërgesat e armëve në Izrael kanë vazhduar.

Ka ndarje të theksuara partiake dhe moshe kur bëhet fjalë për mbështetjen perëndimore për Izraelin. Por sondazhet në Shtetet e Bashkuara thonë se pikëpamjet për Izraelin, palestinezët dhe luftën nuk kanë ndryshuar shumë gjatë vitit të kaluar, apo edhe që para 7 tetorit.

Në SHBA, sipas një sondazhi të Institutit Pearson/AP-NORC, 40% e të anketuarve thanë në nëntor të vitit 2023 se Izraeli kishte "shkuar shumë larg" në luftën e tij në Gazë. Kjo u rrit në 50% deri në janar. Por në shtator të këtij viti ajo u rikthye në 42%.

Mbështetja publike për ndihmën ushtarake për Izraelin ka lëvizur. Simpatia është rritur si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët. Numri i amerikanëve që thonë se një marrëveshje pengjesh është "jashtëzakonisht" e rëndësishme është ulur paksa, së bashku me numrin e atyre që thonë se është "jashtëzakonisht" e rëndësishme të ofrohet ndihmë për palestinezët. Mbështetja e fortë për një armëpushim të përhershëm është pak a shumë e njëjtë me atë të një viti më parë, në 52%.

Protestuesi mban një fotografi të kryeministrit Netanyahu me mbishkrimin “arrestojeni vrasësin e fëmijëve” në Lisbonë të Portugalisë. Foto: AP

Vrasje, aktakuza dhe protesta

Fakti që Netanyahu e ka rimarrë është edhe më befasues duke pasur parasysh shkatërrimin që ka sjellë viti 2024.

Nëntëdhjetë e gjashtë pengje të marra më 7 tetor mbeten në Gazë. Shumë prej tyre besohet se kanë vdekur.

Më pak izraelitë mendojnë se vendi është në një situatë "shumë të keqe", sipas një sondazhi nga Instituti i Demokracisë së Izraelit, por ende pothuajse gjysma e mbajnë këtë pikëpamje.

Lufta e Izraelit në Gazë ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, sipas OKB-së.

Në botën perëndimore, politikanët dhe protestuesit po kritikojnë Izraelin në një mënyrë që dikur mendohej të ishte e pamundur.

Është e paqartë nëse Netanyahu mund të udhëtojë në Evropë ose në ndonjë nga 124 vendet që janë të detyruara të respektojnë urdhërarrestin e ICC-së për të dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes. Prokurori i ICC-së thotë se kryeministri i ka privuar "qëllimisht dhe me vetëdije" banorët e Gazës nga furnizimet humanitare, me qëllim që të vdisnin nga uria, dhe është përgjegjës për sulmet që synojnë civilët. Netanyahu akuzoi gjykatën për "falimentim moral" dhe tha se akuzat kishin për qëllim të pengonin Izraelin "nga ushtrimi i së drejtës sonë natyrore për t'u mbrojtur".

Irlanda, Afrika e Jugut dhe “Amnesty International” kanë ngre akuza për gjenocid ndaj Izraelit

Netanyahu është kryeministri i parë izraelit që përballet me akuza penale dhe burgim. Në dhjetor, ai u bë kryeministri i parë që mbrohej në sallën e gjyqit.

Lufta ka qenë më e gjata dhe më e shtrenjta në historinë e Izraelit. Turizmi mezi ekziston. Bizneset po mbyllin dyert.

Dhe megjithëse Netanyahu e mbyll vitin shumë më mirë sesa e filloi, e ardhmja e tij nuk është aspak e sigurt.

Politika izraelite është po aq e thyer si kurrë më parë dhe ai mbetet një figurë thellësisht përçarëse. Koalicioni i tij qeverisës është më i qëndrueshëm, por ende i brishtë. Imazhi ndërkombëtar i Izraelit mund të ndryshojë përgjithmonë. Një armëpushim dhe një marrëveshje pengjesh në Gazë duket e afërt, por mbetet e pakapshme. Irani është dobësuar, por mbetet një kërcënim serioz.

“Nëse e keni marrë si një film, ne ende nuk e kemi parë skenën e fundit”, tha Shtrauchler.