Botë

Vihet nën mbrojtje udhëheqësja e kompanisë hungareze që u lidh me pejxherët shpërthyes

Hungari

Gruaja kompania e së cilës është lidhur me mijëra pejxherë që shpërthyen në Liban dhe Siri këtë javë është vënë nën mbrojtjen e shërbimeve sekrete hungareze, ka bërë të ditur nëna e saj për Associated Press të premten.

Cristiana Bársony-Arcidiacono nuk është shfaqur publikisht që nga sulmi i njëkohshëm vdekjeprurës që kishte në shënjestër Hezbollahun të martën dhe të mërkurën, dhe për të cilin është fajësuar gjerësisht Izraeli. 

Ajo renditet si shefe ekzekutive e “BAC Consulting” me bazë në Budapest, për të cilën mbajtësi i markës tregtare tajvaneze të pejxherave tha se ishte përgjegjëse për prodhimin e pajisjeve.

Nëna e saj, Beatrix Bársony-Arcidiacono, i ka thënë AP-së se vajza e saj kishte marrë kërcënime të papërcaktuara dhe se "aktualisht ndodhet në një vend të sigurt e mbrojtur nga shërbimet sekrete hungareze".

“Shërbimet sekrete hungareze e këshilluan të mos fliste me mediat”, ka thënë ajo përmes telefonit nga Siçilia.

Dy ditë sulmesh të kësaj jave, fillimisht me shpërthimin e pejxherëve dhe më pas të radiolidhjeve, kanë vrarë të paktën 37 persona dhe kanë plagosur më shumë se 3,000, përfshirë civilë. Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin, i cili as e ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen.