Botë

Vetëm armëpushimi në Gaza do ta frenojë hakmarrjen, thonë zyrtarë iranianë

Raketa balistike iraniane Qadr H

Foto: Associated Press

Vetëm një marrëveshje armëpushimi në Gaza nga bisedimet këtë javë mund ta frenojë Iranin nga hakmarrja direkte kundër Izraelit për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, kanë thënë tre zyrtarë të lartë iranianë.

Irani është zotuar për përgjigje të ashpër pas vrasjes së Haniyehut, që ndodhi kur ai vizitoi Teheranin muajin e kaluar dhe që e fajësoi Izraelin për këtë. Izraeli nuk ka pohuar e as mohuar përfshirjen. Marina amerikane ka vendosur luftanije në Lindjen e Mesme për ta forcuar mbrojtjen e Izraelit, raportoi Reuters.

Një nga burimet, zyrtar i lartë i sigurisë në Iran, ka thënë se Irani bashkë me aleatët si Hezbollahu do të nisë sulm direkt nëse bisedimet për Gazën dështojnë ose nëse sheh se Izraeli po i zvarritë negociatat. Burimet nuk treguar se sa do të lejonte Irani që bisedimet të vazhdonin para se të përgjigjej.

Me një rrezik për zgjerim të luftës në Lindjen e Mesme, Irani është përfshirë në dialog intensiv me shtetet perëndimore dhe SHBA-në në ditët e fundit mbi hakmarrjen, kanë shtuar burimet.

Ambasadori amerikan në Turqi ka konfirmuar se Washingtoni po u kërkonte aleatëve të tij ta ndihmonin për ta bindur Iranin për t’i depërshkallëzuar tensionet.