Botë

Vërshimet dëmtojnë një burg në Nigeri, ikin të burgosurit

Vershimet demtojne muret ne burg ne Nigeri

Foto: Reuters

Autoritetet në Nigeri kanë njoftuar se më tepër se 270 të burgosur janë arratisur, pasi vërshimet dëmtuan një burg në qytetin verilindor Maiduguri, raporton “BBC”.  Deri më tash vetëm shtatë janë kapur dhe janë rikthyer në burg. 

Vërshimet u shkaktuan nga shembja e një dige pas reshjeve të dendura të shiut. 

Qindra mijëra persona në Maiduguri janë detyruar të largohen nga shtëpitë ndërsa të paktën 30 kanë vdekur. Guvernatori i shtetit nigerian Borno, Babagana Zulum, ka përshkruar dëmet si shumë të mëdha. 

Qendra Korrektuese Nigeriane (NCoS) ka njoftuar të dielën se pas dëmtimit të mureve në një burg të sigurisë së mesme, të burgosurit ishin në proces të transferimit dhe disa prej tyre arritën të iknin “gjatë evakuimit të tyre”. 

Guvernatori i shtetit Borno, Babagana Zulum, ka thënë për “BBC” se disa militantë islamikë të grupit Boko Haram ishin në mesin e atyre që ikën.