Botë

Venezuelanët votojnë në zgjedhjet që pritet të sfidojnë kapjen e Maduros

Flamuri Venezuelan

Foto: Associated Press

Venezuelanët do t’i drejtohen të dielën qendrave të votimit në atë që është përshkruar si sfidimi më i madh i partisë socialiste në pushtet PSUV, që kur erdhi në krye 25 vjet më parë. 

Nicolas Maduro – që ka qenë president që nga vdekja e mentorit të tij, Hugo Chavez në vitin 2013 – do të kandidojë për mandatin e tretë. 

Sfiduesi i tij kryesor Edmundo Gonzalez, një ish-diplomat, ka mbështetjen e një koalicioni të partive opozitare. 

Sondazhet sugjerojnë se Gonzalez ka një epërsi të thellë ndaj presidentit aktual, por në vitin 2018 kur Maduro u rizgjodh pati gjerësisht kritika se zgjedhjet nuk ishin të lira. Ekziston një frikë se rezultati i zgjedhjeve mund të manipulohet edhe kësaj radhe, nëse nuk shkon në favor të Maduros. 

Ekziston vetëm një numër i kufizuar i vëzhguesve të zgjedhjeve në vend për të monitoruar – katër nga Kombet e Bashkuara dhe një ekip i vogël teknik nga “Qendra Karter”. 

Një ftesë për vëzhguesit e Bashkimit Evropian për të qenë të pranishëm u anulua nga kreu i autoritetit zgjedhor në Venezuelë, që është një aleat i ngushtë i Maduros. 

Edhe ish-presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez, nuk u ftua pasi tha se qeveria Maduro duhet ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse i humb ato. 

Vëzghuesit brazilianë anuluan pjesëmarrjen e tyre pasi Maduro i kritikoi atë. 

Për të kompensuar mungesën e vëzhguesve ndërkombëtarë, opozita ka mobilizuar mijëra njerëz që të veprojnë si dëshmitarë në qendrat e votimit. 

Pavarësisht nga pengesat e shumta me të cilat është përballur opozita – duke përfshirë ngacmimet e vazhdueshme e arrestimet e më shumë se 100 personave të lidhur me fushatën që nga fillimi i vitit – ajo duket optimiste. 

Thonë se sondazhet i japin një epërsi aq të thellë kandidatit të saj, sa që Maduro nuk do të jetë në gjendje “t’i vjedhë zgjedhjet”. 

Qeveria ka hedhur poshtë rezultatet e sondazheve, duke thënë se janë bërë nga opozita dhe thotë se Maduro është para.